Polemika mes deputetit të Vetëvendosjes dhe ministrit të Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka janë përfshirë në polemika gjatë mbledhjes së komisionit.

Deputeti Uka tha se ministri Zemaj dhe kryeministri Avdullah Hoti kanë pasur deklarata kontradiktore sa i përket gjendes së krijuar nga pandemia.

“Më 12 qershor, ai [Hoti] deklaron që gjendja është serioze dhe nëse nuk kemi kujdes, kemi me i kthy masat e mëparshme. Me 14 qershor ju deklaroni që rikthim nuk do të ketë asnjëherë. Kjo është shqetësuese”, i tha ai ministrit.

Kurse, ministri Armend Zemaj tha se do të bëjë çmos që të mos ketë rikthim të masave.

“Masat, rikthimi në izolim do ta shkatërrojë Kosovë, do t’i shkatërrojë qytetarët tanë, ekonominë, ineligjencën, shëndetin mendor e shumë gjëra tjera”, tha ai.

Zemaj shtoi se nuk merr vendime në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut.

Ai shtoi se kryeministri Hoti ka qenë i shqetësuar sepse është tmerruar nga pamjet e tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje në sheshet e Prishtinës, përderisa në një fotografi të printuar Zemaj e ka drejtuar nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

“Është tmerruar nga këto pamje kur ka parë mijëra qytetarë që i keni mbledhë dhe i keni ekspozuar ndaj rrezikut ndaj pandemisë”, tha ministri.

“Andaj këta filma të juaj, te unë nuk shiten. As këto interpretime nuk shiten”, i tha Zemaj deputetit të LVV-së.

Deputetët e LVV-së, ia përmendën Zemajt tubimet e qeverisë pa respektim të distancës fizike.