Foto: Telegram

Petkoviq i reagon Sveçlën: Po i frikësohesh një pamfleti, mund të mburresh vetëm në rrjete sociale

“I frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandër Vuçiqit që dikush e ka ngjitur. E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”.

Është ky reagimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ndaj postimit të ministrit të Punëve Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla lidhur me pamfletet që u vendosën në veri të Kosovës.

Disa fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me mbishkrimin “komandant suprem, po të presim!” u vendosën në katër komunat veriore të Kosovës.

E për të njëjta reagoi i pari i MPB-së, i cili tha se nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë te autoritetet kosovare, atëherë shton ai, se do ta presin dhe do ta vizitojnë në burg.

“I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij” – ka shkruar Sveçla.

Pas kësaj reagoi Petkoviq, i cili tha se Sveçla i frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandar Vuçiq që dikush e ka ngjitur, ndaj sipas tij e kërcënon se do ta arrestojë.

Në disa lokacione në katër komunat veriore të vendit janë shpërndarë pamflete me foto të presidentit të Serbisë.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se nuk kanë të dyshuar, ndërsa shton se policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit.

Ai tutje shtoi se pas konsultimit me Prokurorin e shtetit është hap rasti “Nxitje e Urrejtjes”.

Sveçla: Nëse Vuçiq është nisur pa kërkesë, edhe ne po e presim e mandej e vizitoni në burg