Foto: KALLXO.com

Përvjetori i shpalljes së mëvetësisë e gjen popullin shqiptar plot dhimbje

 

Me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa përmes një komunikate për media tha se ky përvjetor e gjen popullin shqiptar plot dhimbje.

“Përvjetori i 107-të i shpalljes së mëvetësisë së Shqipërisë e gjen tërë popullin shqiptar plot dhimbje. Tërmeti që goditi shtetin shqiptar këto ditë rezultoi me humbjen e jetës së shumë shqiptarëve dhe lëndimin e qindra të tjerëve, pos dëmeve të mëdha materiale. Këto 107 vjet dhe mijëra vjet të mëparshme kemi ndarë të njëjtën histori, gëzim, dhimbje, lumturi, tragjedi. Shteti i Kosovës dhe çdo qytetar i saj është mobilizuar me të gjitha forcat që kemi, të përkrahim shtetin dhe popullin e Shqipërisë. Lidhja Demokratike e Kosovës është shumë e tronditur nga tërmeti tragjik që ndodhi në Durrës dhe Thimanë, bashkëndjejmë dhe ndajmë dhimbjen me të afërmit e atyre që humbën jetën dhe me ata që janë lënduar”, tha Mustafa.

Sipas Mustafës këto janë momente që testojnë dhe vërtetojnë fuqinë shpirtërore të çdo populli.

“Shqiptarët, anekënd botës, jemi më afër njëri-tjetrit se asnjëherë më parë. Në këtë ditë, që shënon kulmin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe shkëndijën e legjitimimit ndërkombëtar të kërkesës së të gjithë shqiptarëve në Ballkan për mëvetësi, ne shpërfaqim edhe një herë forcën tonë për të ngushëlluar njëri-tjetrin, për t’u lutur për njëri-tjetrin dhe për të përkrahur njëri-tjetrin drejt rimëkëmbjes”, thuhet tutje në komunikatën e kreut të LDK-së.

Mustafa u shpreh se sot nuk festojmë por siç tha ai do t’i thurim lavde fuqisë kombëtare të pashtershme për t’i dalë zot vetes e njëri-tjetrit dhe të tejkalohet çdo vështirësi që të ndërtohet një e ardhme më e ndritur për fëmijët tanë.

“Uroj që të gjithë familjarët e atyre që humbën jetën të gjejnë ngushëllim, të lënduarit të gjejnë shërim dhe i tërë populli shqiptar të gjejmë sadopak qetësi shpirtërore këto ditë trishtuese. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe Kombin Shqiptar”, tha ai.

Më 26 nëntor Shqipërinë e goditi një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 shkallë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera të rajonit.

Sot mbushen 107 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë erdhi pas përpjekjeve gati 500 vjeçare të popullit shqiptar nga perandoria osmane, e cila pushtoi trojet shqiptare, 10 vjet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu, më 17 janar 1468. Përpjekja për çlirim e popullit shqiptar dhe popujve të tjerë evropian nga perandoria osmane, nuk janë ndalur asnjëherë deri në dëbimin e saj më 1912-të./21Media