Personat e shurdhër dhe ata të verbër, dy komunitete të ndryshme me sfida të ngjashme

Fushat si edukimi, punësimi, qasja në informacion dhe mungesa e njohurive të mirëfillta nga ana e shoqërisë vazhdojnë të mbesin sfiduese për komunitetin e personave të shurdhër në Kosovë.

Nebih Cakaj, hulumtues i gjuhës së shenjave në Shoqatën Kosovare të të Shurdhërve, dhe njëkohësisht anëtar i saj, thotë se një prej fushave më të rëndësishme për këtë komunitet është ajo e edukimit. Mirëpo, sipas tij, kjo pjesë nuk kalon pa probleme.

Sipas Cakajt një ndër problemet kryesore është se 96% e personave të shurdhër që e përfundojnë shkollën e mesme nuk dinë shkrim-lexim.

Fajtor për këtë ai thotë të jetë metodologjia jo e duhur në shkolla.

“Problemi është që metodologjia nuk ka qenë e duhura, filozofia ka qenë me oralizëm, pra nuk e ka pasur idenë që duhet në gjuhën e shenjave mirëpo ka insistu që me qenë edukimi në oralizëm. Në të njëjtën kohë mësimdhënësit nuk e kanë ditur gjuhën e shenjave që t’i mësojnë fëmijët përmes gjuhës së shenjave dhe kështu rrjedhimisht ata kanë çalu në shkrim-lexim deri tash”, shpjegon ai përmes interpretes Zana Preniqi.

Ai përmend se kjo mangësi në metodologjinë e mësimit pengon që fëmijët e shurdhër të jenë të pavarur që në moshë të hershme.

“Mësimdhënësit nuk kanë pasur se si t’i mësojnë fëmijët përmes gjuhës së shenjave. E mandej përmes gjuhës së shenjave mësohet edhe shkrim-leximi, se nëse gjuhën e shenjave nuk e di atëherë nuk ke se si t’u shpjegosh fëmijëve se çka është ajo. E kur t’i mësojnë këto të dyja atëherë rrjedhimisht je bilingual. Kjo domethënë që fëmijët kishin qenë të pavarur qysh në moshën e hershme”, është shprehur ai.

Cakaj tregon se problemi me komunikimin është një prej faktorëve që i çon personat e shurdhër edhe drejt problemeve për të gjetur punë.

“Problemi është gjithmonë te komunikimi, për shkak që punëdhënësit e punësojnë një person, por kur vjen puna te qasja në komunikim atëherë është shumë e vështirë, edhe nuk kanë qysh me komuniku, mirëpo nëse e merr pjesën praktike, atëherë e sheh që është shumë i aftë por kur vjen puna te komunikimi është shumë e vështirë”, shton ai.

Sfidë tjetër del të jetë edhe komunikimi dhe qasja në informacion. Kjo pasi që edhe pse këtij komuniteti i ofrohen shërbime në gjuhën e shenjave nëpër institucionet publike, të njëjtat nuk janë të qasshme edhe në ato private.

Nebih Cakaj tregon se kur duhet të kryejnë obligime që kërkojnë më shumë punë në përditshmërinë e tyre, ata detyrohen ta marrin ndonjë familjar me vete në mënyrë që komunikimi të jetë më i lehtë, teksa në rastet e tjera komunikimi vizual mbetet zgjidhje për ta.

“Nëse është një rast pak më i rëndë, atëherë i marrim familjarët, ndërsa nëse është diçka nëpër market ose kështu, atëherë shkojmë vet”, thekson ai.

Kur bie fjala te komunikimi, Rukije Gashi, interprete e gjuhës së shenjave dhe njëkohësisht edhe zyrtare për avokim në këtë Shoqatë, sqaron se mangësi tjetër aktualisht në Kosovë vazhdon të jetë dhe mungesa e aplikacioneve që personat e shurdhër të kërkojnë ndihmën e shpejtë në raste nevoje.

“Kanë nevojë për ndihmën e shpejtë sepse ka familje që janë totalisht krejt anëtarët të shurdhër, nuk kanë kurrfarë qasje. Për shembull nëse janë në rrezik, aksident trafiku, vjedhje ose diçka e tillë të ndonjë vepre të keqe, pasi që momentalisht nuk kanë kurrfarë qasje”, shpjegon ajo.

Anashkalimi i rasteve

Nebih Cakaj përmend edhe një prej problemeve të njerëzve të shurdhër gjatë fëmijërisë duke thënë se ka edhe raste të atilla kur prindërit nuk duan ta pranojnë që fëmija i tyre është i shurdhër.

“Ka prindër që thjesht nuk duan ta pranojnë që fëmija i tyre është i shurdhër, por do të duhej që të jetë e kundërta. Pra, edhe pse është fëmija i tyre i shurdhër, ata të lobojnë më shumë për atë fëmijë edhe t’ia realizojnë të drejtat e jo të ndihen keq apo në siklet”, thekson ai.

Cakaj shton se prindërit duhet të marrin masa sa më herët që t’ua lehtësojnë jetën fëmijëve të tyre.

“Fëmijët e shurdhër zakonisht lindin prej 95% prindërve që dëgjojnë, kështu që ndoshta është përgjegjësi e prindërve që prej fillimit kur ta shohin që fëmija është i shurdhër, prej atëherë t’ia japin të drejtën në gjuhë, në kulturë dhe gjithçka që fëmija i tyre të mos jetë i distancuar ose izoluar”, shton ai.

Tek hapat e hershëm në fëmijëri ai përmend edhe rëndësinë e shkollimit.

“Po ashtu, jo t’i dërgojnë fëmijët në një shkollë që është me fëmijët e tjerë, ku nuk kupton kurrgjë, që nuk merr asnjë informatë. Prandaj, ndoshta kish qenë mirë edhe vetë prindërit me lobu që fëmijët e tyre me pasë qasje ma të mirë në gjuhë të shenjave. Pra, thjesht në jetë me qenë më mirë”, ka përfunduar ai.

Momentalisht në Kosovë është një shkollë në Gjilan ku në një klasë të bashkangjitur fëmijëve të shurdhër u ofrohet edukimi në arsimin fillor, gjersa në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza” në Prizren ofrohet edukimi i fëmijëve të shurdhër që nga kopshti e deri te shkollimi i mesëm.

Të verbrit, komunitet tjetër, sfida të ngjashme

Ballafaqimin me sfida nëpër fusha të ngjashme e pohojnë edhe nga Shoqata e të Verbërve në Kosovë.

Daut Tishuki, kryetar i kësaj Shoqate, thotë se krahas modernizimeve të mëdha të teknologjisë, sfida kryesore për njerëzit e verbër në Kosovë ende vazhdon të mbetet qasja në informacion si pasojë mungesës së madhe të sintetizimit të gjuhës shqipe.

“Teknologjia asistive për personat e verbër është modernizuar shumë, por në mungesë të sintezës lokale ka vështirësi. Pjesën tjetër të informacionit personat e verbër në Kosovë e marrin vetëm përmes shkrimit Braille apo në ndonjë teknikë që është e incizuar në formë të audios”, thotë Tishuki.

Ai shprehet se këtë problem e kanë edhe gjatë përdorimit të pajisjeve teknologjike dhe marrjes së mesazheve, ngaqë këto veprime duhet t’i bëjnë përmes audiove në gjuhë të huaja dhe ato i deformojnë tekstet në gjuhën shqipe.

“I përdorim sintezat vokale të gjuhëve të huaja, kështu që kur është kjo në pyetje e deformon. Sikur për shembull anglezi ta marrë ta lexojë një tekst të gjuhës shqipe qysh tingëllon, e lexon me devijime. Ne është dashur mu mësu edhe me ato devijime, edhe i përdorim më mirë qashtu sesa hiç”, tregon ai.

Si problem tjetër kreu i kësaj Shoqate përmend edhe mungesën e teksteve në alfabetin Braille. Ai thotë se ky problem në masë më të madhe i prek njerëzit e verbër që vijojnë studimet universitare.

“Gjatë edukimit apo studimit parauniversitar është disi e mbuluar, Qendra burimore për mësim dhe këshillim i furnizon me tekste Braille nxënësit që tash për momentin vijojnë mësimin nëpër shkolla të rregullta. Por kur ata ta kryejnë shkollën e mesme dhe shkojnë për të studiuar apo në universitet aty paraqitet shumë mungesë e madhe e literaturës në shkrimin Braille”, shton ai.

Tishuki tregon se në raste të tilla studentët detyrohen të përdorim opsione të tjera.

“Studentët kanë pasur sfida dhe janë munduar, janë gjendur në mënyra të ndryshme. Ka raste kur është dashur anëtaret e familjes t’ia lexojnë tekstin, ka raste kur me diktafon e ka incizuar profesorin duke ligjëruar, kështu që janë gjendur në forma të ndryshme”, tregon ai.

Kalimin nëpër sfida të tilla pohon t’i ketë përjetuar studenti Lavdrim Salihu, i cili i ka ndjekur studimet e juridikut në Universitetin e Prishtinës. Salihu rrëfen se gjatë studimeve ai nuk ka pasur materiale në alfabetin Braille por është detyruar të përdor mënyra të tjera.

“Për shembull online nëse ka pasë material, ose me m’i lexu dikush (materialet) ose me zmadhim të tekstit”, ka thënë Salihu për KALLXO.com.

Metodën e formave alternative ai rrëfen ta ketë përdorur edhe në provime.

“Gati se krejt profesorët kanë pasur mirëkuptim dhe më kanë ndihmu ashtu qysh është përshtatur nevoja. Ose jam hi me zmadhim…. me e marrë një pajisje për zmadhim të tekstit, e kam unë vet, ose me asistent ose jam pyet me gojë, qeshtu të ngjashme”, shton ai.

Teksa Salihu pyetet për perspektivën që mund të ketë në punësim, ai përgjigjet duke thënë se nuk ka ndonjë mendim për këtë.

“Jo, i punësuar nuk jam. Për perspektivë nuk di se çka me të thonë, nuk kam ndonjë mendim”.

Sfidat në infrastrukturë dhe transport publik

“Të verbrit është shumë vështirë me dalë vetëm në Kosovë për momentin në çfarë rrugë dhe çfarë komunikacioni kemi. Kështu që ata kur janë të detyruar me dalë në rrugë gjithsesi duhet ta sigurojnë një asistent edhe me lëvizë”, pohon Tishuki teksa shton se “transporti publik nuk i ka siguru akoma informacionet e duhura që një person i verbër me qenë vetëm edhe me ditë të orientohet”.

Një gjë të tillë e thotë edhe kryetari i shoqatës Iniciativa e Pavarur e të Verbërve në Gjakovë, Mark Pjetraj.

Ai ka rrëfyer se si gjatë shkollimit të lartë të mesëm në shkollën speciale për persona të verbër “Xheladin Deda” në Pejë ai ka rastisur që në mungesë të zërimit në autobus ai ta humbasë ndalesën e fshatit ku ai jeton.

“Ka pasur raste kur autobusi në vend se të ndalet në destinacionin Planqor, është ndalur në ndonjë fshat tjetër apo në Gjakovë.  Në momentin që e kam pyet kondukterin ku jemi, ai e ka kaluar vendin”, ka thënë Pjetraj për KALLXO.com.

Ai poashtu ka përmendur edhe Ligjin për personat e verbër, ku sipas nenit 13 të Ligjit Nr. 04/L – 092 PËR PERSONAT E VERBËR

“1. Personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre gjatë shoqërimit të personit të verbër, gëzojnë beneficione në pagesa, në trafikun urban falas, ndërsa në ndërurban bëhet me pagesën pesëdhjetë për qind (50%) të vlerës së biletës.

  1. Operatorët privat dhe publik duhet të përcaktojnë vendet për të verbrit dhe të vendosin sinjale përkatëse. Këto vende janë të liruara nga detyrimi fiskal të përcaktuar me udhëzim nga MT dhe Ministria e Infrastrukturës”.

Mirëpo, Pjetraj shprehet se nga përvoja e tij në përditshmëri këto ligje nuk gjejnë zbatim.

“Ne lirohemi 50% prej pagesës për udhëtar, kur bëhet fjalë në transportin ndërurban. Ndërsa  100% lirimi është në transportin urban. Në transportin urban respektohet, në transportin ndërurban nuk respektohet … me arsyetimin që ‘ne nuk na kompenson kurrkush’ mjetet të cilat i lirojmë. Për shembull, me shku në Prishtinë është 4 euro, me rregull për ne duhet me qenë 2 (euro) por ai (kondukteri) nuk e di këtë punë për arsye që nuk e kompenson kurrkush”.

Pjetraj tutje shton se në transportin urban ky Ligj zbatohet, por përsëri është mungesa e sinjalistikës akustike ajo që ua vështirëson personave të verbër edhe udhëtimin me transportin urban.

“Në nivelin urban zbatohet, vetëm ia jep librezën e shoqatës. Ai të liron prej pagesës. Por prapë atje nuk ka zërim, nuk e din ku je, duhet mu kon me shoqërues”, shpjegon ai teksa përmend se mosrespektimi i këtyre ligjeve ua pamundëson edhe më shumë lëvizjen personave të verbër

“Dy ulëset e para në autobus në krahun e majtë dhe në krahun e djathë janë për personat me nevojat e veçanta në rast se ka në autobus persona me nevoja të veçanta. Ato kurrë nuk mundesh m’i gjetë të lira. Edhe kjo nuk respektohet fare”, shton ai.

2022 – vit i personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës.

Më 3 dhjetor 2021 në shënim të “Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara” Zyra për Qeverisje të Mirë-Zyra e Kryeministrit përmes një  konference  shpalli  vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.

Në hapjen e kësaj konference ishte premtuar përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për të punuar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Njëkohësisht  Zyra e Kryeministrit kishte njoftuar edhe për prezantimin e kalendarit të aktiviteteve për vitin 2022,

“… (Kalendari) përmban një grup ambicioz aktivitetesh që fokusohen në shëndetësi, drejtësi, siguri, edukim, arsimim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport”, ishte thënë në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit lidhur me këtë kalendar.

Gjatë prononcimit për KALLXO.com, Daut Tishuki nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës është shprehur se në shpalljen e këtij viti, tema të cilës i është dhënë prioritet është edhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara.

“Edhe pse ekziston ligji për aftësim, riaftësim dhe punësim për personat me aftësi të kufizuara, ky ligj ende nuk ka gjetur zbatueshmëri në Kosovë. Por shpresojmë, se Qeveria në dhjetor të vitin të kaluar e ka shpallur vitin 2022 vit të aftësisë së kufizuar dhe prioritet i ka dhënë edhe punësimit”,  ka thënë Tishuki teksa ka shtuar tutje duke thënë se zbatueshmëria e planeve të parapara në këtë kalendar do t’ua lehtësonte njerëzve me aftësi të kufizuara përditshmërinë.

“Megjithëse kur është shpallë ky vit, Qeveria e ka aprovuar edhe një kalendar të aktivitete që do të jenë gjatë këtij viti ku për ato aktivitete janë zotuar edhe ministritë që do t’i rregullojnë. Një ndër to është punësimi personave me aftësi të kufizuara por edhe çështje tjera siç e përmenda më parë, zhvillimi i sintezës vokale, përgatitja e teksteve, domethënë për t’i publiku tekstet çka kanë nevojë studentët, e është një kalendar që nëse zbatohet me përpikëri do ta zbusë dhe do ta lehtësojë shumë jetën e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë”, ka shtuar ai.