Ilustrim.

Përplasje për repertorin ne Teatrin e Mitrovicës

Takimi i mbajtur më 21 mars (2023) i Këshillit Drejtues të Teatrit të Qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”, ka shkaktuar një përplasje mes kryetares së këtij Këshilli, regjisores Zana Hoxha dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të këtij Teatri, Sabit Sheremeti, rreth vendimeve dhe procesverbalit të këtij takimi.

Sheremeti, u.d. i drejtorit të Teatrit “Muharrem Qena”, po e akuzon Këshillin Drejtues se në takimin e 21 marsit ka marrë vendime të jashtëligjshme duke miratuar tekste për inskenim për repertorin e këtij sezoni në teatër, në kundërshtim me Ligjin për Teatrot.

Sipas tij, me propozim të kryesueses së KD-së Zana Hoxha, Këshilli ka miratuar për inskenim tekstin dramatik, “Tre dimrat”, dhe kjo, sipas tij është e evidentuar në procesverbalin e takimit të 21 marsit 2023.

Por, kryesuesja Hoxha ka hedhur poshtë akuzat e Sheremetit.

Regjisorja Hoxha ka thënë se nuk ka procesverbal të përgatitur nga ai takim, duke e akuzuar u.d. e teatrit Sabit Shermeti se ka vënë në lajthitje atë dhe KD-në sa i përket çështjes së procesmbajtësit dhe se sipas saj në procesverbal nuk janë evidentuar të gjitha ato që kanë ndodhur në atë mbledhje.

Regjisorja Hoxha nuk ka mohuar se ka propozuar tekstin e dramës “Tre dimrat” për inskenim, për këtë sezonë në Teatrin “Muharrem Qena”.

Për të sqaruar situatën e krijuar, KALLXO.com, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në Komunën e Mitrovicës, ka siguruar qasje në procesverbalin e takimit të mbledhjes së 21 marsit, ku ishte i pranishëm edhe u.d. i drejtorit, Sabit Sheremeti, dhe procesmbajtësi, zyrtari i teatrit dhe procesverbalin me nënshkrimet e anëtarëve të KD-së.

Procesverbali i takimit

Sipas procesverbalit, në takimin e mbajtur më 21 mars, ishte planifikuar të diskutohej për tekstet dramatike që do të propozoheshin nga u.d. drejtori i teatrit, Sabit Sheremeti, KD-së së Teatrit “Muharrem Qena” për inskenim gjatë këtij sezoni, në mungesë të udhëheqësit artistik. Ky teatër ende nuk ka udhëheqës artistik.

Sheremeti ka propozuar tetë tekste dramatike, kurse kryesuesja e KD-së, Zana Hoxha, ka propozuar tekstin “Tre dimrat”. Në procesverbal nuk është shënuar nëse ndonjë prej anëtarëve të KD-së të ketë kundërshtuar këtë propozim, pasi sipas Ligjit për teatrot, anëtarët e këshillit nuk mund të bëjnë propozim të dramave për inskenimin.

Nga tetë tekstet e shfaqjeve të propozuar nga u.d. drejtori Sheremeti, Këshilli miratoi vetëm tekstin e shfaqjes “Qelia” dhe të shfaqjes “Tre dimrat” të propozuar nga kryesuesja Hoxha.

Ndërsa, Këshilli vendosi që një shfaqje për fëmijë të jetë gati për 1 qershor 2023, por, nuk shënohet që është njëra prej propozimeve të bëra nga u.d. drejtori i teatrit.

Kurse, sipas procesverbalit, për mbledhjen e radhës u la të diskutohet për shfaqjet: “Mbledhja në parlament”, “Dritë e kuqe në të diel” dhe shfaqjen “Ajo”,  për të cilën thuhet se do të diskutohet edhe për ndërrimin e regjisorit nga ai/ajo që është propozuar.

Në procesverbalin e siguruar nga KALLXO.com, në fund, kryesuesja e mbyll takimin me njoftimin se takimi i radhës mbahet më 25 prill 2023 dhe urdhëron u.d. drejtorin e teatrit të nisë punën për inskenimin e shfaqjen “Tre dimrat” ose të shfaqjes “Qelia”.

Përplasjet për takimin e 21 marsit 

Por, kryesuesja e KD-së së Teatrit “Muharrem Qena”,  Zana Hoxha ka vënë në dyshim përmbajtjen e procesverbalit, pasi sipas saj ai është vetëm një dokument me minutat e mbajtura në mënyrë të pasaktë të diskutimeve të takimit.

“Ky dokument ka qenë vetëm për të treguar kush është prezent në mbledhje nga anëtarët e Këshillit. Pastaj është paraqitur një dokument tjetër si procesverbal, i cili në fakt është vetëm një dokument me minutat e mbajtura në mënyre të pasaktë të diskutimeve të takimit. Edhe ky një dokument i pasaktë, sepse përveç që nuk i cek gjërat realisht, mungon edhe pjesa kur drejtori i Teatrit z.Sheremeti i ofron Këshillit Drejtues për të pirë raki dhe insiston tek kryetarja e Këshillit që s’ është problem dhe inkurajon një gjë të tillë, gjë me të cilën ajo nuk pajtohet dhe se pranon ofertën e tij”- tha ajo, për KALLXO.com.

Gjithashtu, Hoxha thotë se u.d. drejtori i Teatrit “Muharrem Qena” ka vënë në lajthitje Këshillin Drejtues, lidhur me çështjen e mbajtjes së procesverbalit dhe caktimin e procesmbajtësit, pasi siç ka thënë ajo nuk është bërë në bazë të Rregullores se MKRS Nr. 04/2016 për punën e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, që sipas Hoxhës rregullohet dhe puna e Teatrit të Mitrovicës. Deri më tani nuk ka një rregullore për punën e Teatrit të Mitrovicës.

“Duke qenë se as procesverbali nuk është përgatitur siç duhet dhe nuk është bërë nga personi i zgjedhur nga Komuna dhe Miratuar nga Këshilli, ne nuk kemi procesverbal, por vetëm rendin e ditës së takimit të kaluar dhe minutat e pasakta të rrjedhës së diskutimit”- tha ajo.

Megjithatë, Hoxha nuk ka mohuar që ka propozuar për inskenim dramën “Tre dimrat” dhe nëse më herët ka kërkuar nga Komuna e Mitrovicës caktimin e një sekretari – procesmbajtësi për KD-në e Teatrit të Mitrovicës.

Në anën tjetër, Sabit Sheremeti, u.d. i drejtorit të Teatrit “Muharrem Qena” thotë se mënyra dhe formati i mbajtjes së procesverbalit të takimit të 21 marsit ka qenë i njëjti me takimet e kaluara.

“Çdo herë është përdorur e njëjta formë, por procesverbalet e kaluara kanë qenë më të shkurta dhe kanë përmbajtur vetëm pikat kyçe, kurse takimi i fundit me kërkesën e kryetares së KD ka qenë shumë i detajuar”- tha ai.

Edhe Sheremeti ka thënë se nuk ka rregullore për punën e KD-së së Teatrit “Muharrem Qena”.

“Nga  themelimi i Teatrit ‘Muharrem Qena’ e deri sot çdo herë procesmbajtësi ka qenë nga teatri (zyrtari i administratës), i cili është i punësuar në teatër me konkurs publik dhe KD para fillimit të takimit është informuar nga drejtori kur kanë pyetur kush e mban procesverbalin se personi në fjalë do ta mbajë procesverbalin është zyrtar i administratës në Teatër, KD nuk ka pasur asnjë kundërshtim, vetëm kërkesë nga Kryesuesja që në procesverbal të shënohet çdo gjë prej kur ajo e hapë zyrtarisht takimin e KD-së”- tha ai.

Sheremeti ka mohuar akuzat e Hoxhës se ai i ka ofruar anëtarëve të KD-së alkool për pije. Ndërsa ka thënë se nuk i ka zbatuar vendimet e marra me 21 mars nga KD për shkak të paligjshmërisë. Për këtë, thotë se ai e ka njoftuar edhe kryetarin e Mitrovicës.

“Vendimet e aprovuara nga KD nuk janë zbatuar pasi që drejtori i teatrit ka analizuar rrjedhën e takimit, procesverbalin dhe ka vërejtur se gjatë këtij takimi dt. 21.03.2023 KD nuk ka respektuar Ligji për teatro 04/L-106 Neni 10 pika 1.2 ,1.3 dhe 1.4 përgjegjësitë e Këshillit Drejtues, pastaj neni 15 pika 1.2, 1.3, 1.7, 1.8 dhe 1.9, përgjegjësitë e udhëheqësit artistik, andaj duke i shikuar të gjitha këto shkelje ligjore e kam informuar kryetarin e Komunës, sepse ligji nuk më obligon t`i zbatoj vendimet e Këshillit Drejtues kur ato janë me shkelje ligjore”- ka thënë Sheremeti.

KALLXO.com ka kërkuar një mendim lidhur me takimin e 21 marsit nga anëtarët tjetrë të Këshillit Drejtues të Teatrit ‘Muharrem Qena”. Vetëm Fisnik Istrefi i është përgjigjur interesimit të KALLXO.com. Ai ka sugjeruar që për këtë çështje t’i drejtohemi kryesues së Këshillit.

Këshilli Drejtues i Teatrit ‘Muharrem Qena” përbëhet nga Zana Hoxha, kryetare dhe anëtarët: Melihate Qena, Afërdita Sopjani- Peci, Fisnik Istrefi dhe Teuta Selmani, e cila së fundmi është zëvendësuar me Arbër Hajrën.

Mbledhja e radhës Këshillit Drejtues të Teatrit ‘Muharrem Qena” pritet të mbahet nesër, e martë, 25.04. 2023.