Përplasje mes ministres Rizvanolli dhe Ferat Shalës për Ferronikelin

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli dhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala janë përplasur lidhur me shitjen e energjisë nga ana e KEK-ut dhe Ujmanit dhe mos subvencionimi për kompaninë Ferronikeli.

Deputeti Ferat Shala tha se qeveria po i selekton ndërmarrjet që po subvencionohen.

“Meqenëse KEK dhe Ujmani po fitojnë miliona duke shitur energjinë përse nuk e ndihmuat kompaninë Ferronikeli kur e kërkoi një gjë të tillë nga qeveria”, ka thënë Shala.

Rizvanolli tha se nuk e di vlerën e saktë të energjisë së shitur gjatë këtij viti pasi Ujmani ka kontrata të mbyllura, konfidenciale.

Kurse, për Ferronikelin ministrja tha se ka nevojë për furnizim konstant, derisa shitja e energjisë po bëhet kryesisht gjatë natës.

“Vlerën e eksportit nuk e kam pasi kontrata e Ujmanit është konfidenciale. Eksporti ka ndodhur ne masë të madhe gjatë natës, Feronikeli ka nevojë për nivel konstant të furnizimit që KEK nuk ka arritur ta bëjë”, ka thënë Rizvanolli.

Lidhur me temën për Ferronikelin, deputeti i VV-së Driton Hyseni i tha Shalës se në çdo mbledhje po diskuton për këtë ndërmarrje.

“Në çdo mbledhje po e diskutoni gjendjen në kompaninë Ferronikeli, ju lutem ta vlerësojmë pak edhe punën e ministres në periudhën kur Kosova po përballej me një krizë energjetike si shkak edhe i mënyrës si menaxhuan qeveritë e kaluara”, ka thënë Hyseni.

Sa i përket sigurimit me energji për periudhën kur Kosova ka shpenzim më të madh dhe të mos përballet më me kriza,  Rizvanolli tha se kanë diskutuar me disa vende të rajonit dhe këto ditë do shkojë në Bullgari ku edhe do shoh mundësitë për ndonjë marrëveshje.