Përjashtohet publiku në gjykimin ndaj 70 vjeçarit të akuzuar për vrasjen e gruas me sëpatë  

72 vjeçari Izet Godeni është ulur në bankën e të akuzuarve në gjykimin ndaj tij nën akuzën për vrasjen e gruas së tij 63 vjeçare, Sadije Godeni, në vitin 2022 në Prishtinë.

Godeni akuzohet se vrasjen e ky kryer me sëpatë gjatë kohës sa viktima ka qenë duke fjetur.

Izet Godeni ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 25 vite burgim në shkallë të parë. Mirëpo, Gjykata e Apelit rastin e ka kthyer në rigjykim.

Seanca e rigjykimit e datës 14.03.2024 u mbyll për publikun me kërkesë të të dëmtuarës, Albiona Godeni, të bijës së të akuzuarit dhe viktimës.

Me këtë propozim u pajtua edhe prokurorja e rastit, Javorka Prlinqeviq.

“Pajtohem me propozimin e të dëmtuarës dhe mendoj se është shumë e ndjeshme”- tha prokurorja.

Për përjashtimin e publikut ishte pro edhe vetë i akuzuari Izet Godeni.

“Të largohet”- u përgjigj Godeni, kur u pyet nga trupi gjykues se a duhet të rrijë apo të largohet publiku nga salla.

Rasti po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i kryesuar nga Naser Foniqi, anëtarët Fatime Dermaku dhe Ertan Sejfulla.

I akuzuari ishte dënuar me 25 vite burgim më 30.05.2023 për vrasje të rëndë nga trupi gjykues me kryetar Naser Foniqi.

Vendimi ishte apeluar nga mbrojtja e të akuzuarit, avokatja Myrvete Hashani- Jashari. E njëjta përmes ankesës kishte kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim pasi e njëjta nuk ishte pajtuar me pranimin e fajësisë nga i akuzuari pasi që i njëjti nuk e kishte kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë.

Vendimi i Apelit ishte marrë nga kolegji i kryesuar nga Xhevdet Abazi dhe anëtarët Hashim Çollaku dhe Beqir Kalludra.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 25.11.2022 rreth orës 4 të mëngjesit në shtëpinë e të akuzuarit dhe viktimës në Prishtinë.

Dosja thotë se i akuzuari Izet Godeni në mënyrë mizore dhe dinake ka privuar nga jeta Sadije Godenin duke e goditur disa herë me sëpatë ndërkohë që viktima ka qenë në gjumë.

Këto veprime Prokuroria i ka kualifikuar me veprën ‘Vrasje e Rëndë’.