Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Përgjimet, flet ministrja Albulena Haxhiu, e quan skandal të patolerueshëm

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë të cilën e quajti urgjente, ka kërkuar nga shoqëria civile, mediat, institucionet relevante që të mos heshtin në lidhje me skandalin e përgjimeve të publikuara nga media online “Shqip.com” ku pretendohet se një prokurore e krimeve të rënda, tenton të shtrij ndikimin e saj në një rast të një personi, të cilit i ishte konfiskuar një veturë.

“Kanë kaluar disa ditë që nga nisja, publikimi i këtyre përgjimeve dhe nuk kemi parë reagime shoqërore, qoftë nga shoqëria civile, nga mediat, qoftë nga përfaqësuesit që flitet në këto përgjime. Është e papranueshme që për një skandal dhe që bëhet fjalë për institucionet e shtetit, të flas vetëm qeveria”, tha Haxhiu.

Ajo përmendi edhe se vettingu është çelësi për të kthyer besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Tashmë, nuk ka asnjë dileme për rëndësinë e vettingut në sistemin e drejtësisë. Siç jeni në dijeni, kemi hartuar draftin e parë të dokumentit të vettingut në sistemin e drejtësisë dhe në muajin gusht, presim të miratohet në qeveri”, tha Haxhiu.

Ajo foli edhe për heshtjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës pas këtyre audio- incizimeve.

“Kjo situatë e patolerueshme na dëshmon se nuk është i përfshirë vetëm i shkarkuari i djeshëm, flitet për emrat që janë në pozita të larta të sistemit prokurorial. Institucionet brenda sistemit të drejtësisë fatkeqësisht po i shkelin të drejtat e njeriut, është e patolerueshme dhe e pandershme”, tha tutje ajo.

Haxhiu bëri thirrje që Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të ndërmarrin masa urgjentisht në bazë të kompetencave që kanë.

“Një skandal i tillë nuk mund të më lejoj të rri në heshtje, andaj zotohem se në bazë të kompetencave si ministre, do të angazhohem për të sjellë rend dhe ligj”, tha Haxhiu.

Një prokurore e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, pretendohet se dëgjohet deri sa tregon për ushtrimin e ndikimit të saj dhe zgjedhjen e personave në pozita të caktuara.

Në bisedat e publikuara në median online “Shqip.com”, prokurorja pretendon se ka miq në Agjencinë Kosovare e Inteligjencës, gjyqtarë e institucione të tjera, të cilët e mbrojnë.

Ndërsa, Prokuroria e Shtetit po vazhdon të heshtë rreth përmbajtjes së audio-incizimeve të publikuara javën e kaluar, të cilat supozohet se janë audio-incizime të vitit të kaluar.

Media online “Shqip.com” më 30 korrik publikoi një audio- inicizim më shumë se 10-minutësh deri sa pretendohet se dëgjohet prokurorja Asllani tek flet me një person për zgjidhjen e një rasti të këtij të fundit.

Në audio-incizimet që pretendohet të jetë prokurorja Asllani, dëgjohet teksa nuk heziton të ndajë informacione se çka po ndodh brenda sistemit prokurorial dhe ndikimin e saj edhe në zgjedhjen e një gjyqtari ndërsa dëgjon informacione rreth saj nga bashkëbiseduesi se kinse ajo është e përfshirë në dosjen hetimore të Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, hetimin e të cilit po e kryejnë siç thuhet në raportimet e medias online, nga disa ndërkombëtarë.

Gjatë gjithë ditës së sotme KALLXO.com ka provuar të marrë një qëndrim nga prokurorja, Shemsije Asllani, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi e të Këshillit Prokurorial të Kosovës, por deri në publikim të këtij shkrimi, asnjëri nuk i është përgjigjur as thirrjeve e as email-eve të KALLXO.com.

Përveç ditës së sotme, KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me prokuroren Asllani edhe në ditën e publikimit të audio-incizimeve nga media online “Shqip.com”.

Biseda, sipas “Shqip.com”, është më shumë se 40 minuta dhe diskutimi pretendohet se bëhet mes prokurores Asllani dhe një personi tjetër i cili e kishte telefonuar prokuroren në lidhje me një veturë që ia kishin konfiskuar pa të drejtë dhe për këtë e kishte bërë përgjegjës Lumezin.

Sipas audio-incizimeve në të cilat dyshohet se është përfshirë prokurorja Asllani, në fillim të bisedës thekson se telefonata i duket e panevojshme, por më pas i shtohet interesi, kur dëgjon se telefonuesi ka informacione sekrete për të dhe për kryeprokurorin Lumezi.

“Tha na jemi t’u e hetu, t’u e hetu na jemi Lumezin që nja 3-4 vjet, tha. Për korrupsion, për seksualitet – më fal në shprehje… Edhe për përdorje të kokainit”, dëgjohet biseda e telefonuesit që pretendohet se e ka realizuar me prokuroren Asllani.

“Do me thanë Shemsije, unë emrin tond e kam pa aty. I kam pa nja 80 foto, i kam pa aty ma s’pakti”, i thotë telefonuesi, ndërsa prokurorja i kundërpërgjigjet “edhe temin a?”.

Telefonuesi vazhdon t’i tregojë prokurores se ka parë dëshmi e fotografi në oborrin e shtëpisë së saj ku dukej edhe kryeprokurori Lumezi siç pretendohet me një person tjetër.

Brenda raportimit të “Shqip” përmendet edhe një ndërhyrje e prokurores Asllani në AKI.

Këtë ndërhyrje Asllani pretendohet se e ka përmendur deri sa kishte treguar se interesimi i saj për lëndën e personit me të cilin flet mund të jetë shkelje e kodit të etikës, ushtrim ndikimi, shkelje të integritetit.

Pasi i rikthehen temës së problemit ligjor që kishte personi i cili bisedon me prokuroren Asllani, kjo e fundit i tregon se menjëherë ishte interesuar për të edhe në AKI.

“Menihere për në AKI kur më tha X (emër i njohur për redaksinë) për me fol, unë fola në AKI. I kam miqtë, i kam njerëzit që më ruajnë”, tregon ajo të jetë interesuar për rastin e këtij personi edhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Kjo çështje pritet të diskutohet edhe në mbledhjen e radhës së Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Kështu të paktën ka thënë në një deklaratë për KALLXO.com zëvendëskryetari i këtij Komisioni, Sali Zyba.

Që nga publikimi i parë i këtyre përgjimeve kanë kaluar pesë ditë ndërsa Prokuroria e Shtetit nuk ka dhënë asnjë sqarim zyrtar në lidhje me pretendimet për përfshirjen e prokurores Shemsije Asllani në këto audio-incizime e as për verifikimin e vërtetësisë së tyre.

Dy audio-inicizme të reja janë publikuar nga “Shqip.com” gjatë ditës së djeshme dhe të sotme në të cilat pretendohet se i përfshirë është drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, deri sa me një telefonues flet se si po planifikon të kapë media të fuqishme në Kosovë e më pas t’i përdorë për shantazhe në raste të ndryshme.

 

Skandal: Përgjimet shfaqin planet e shefit të Inteligjencës Financiare për investime në media, prokuroria hesht për dosjen e prokurores