Përfundon takimi në Bruksel, Hyseni dhe Gjuriq me qëndrime të ndryshme

Të enjten në Bruksel është zhvilluar takimi ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Pas përfundimit të tij, Kosova dhe Serbia konfirmuan se procesi ka shënuar regres, por të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni ka thënë se pala serbe është treguar jokonstruktive në bisedime. Sipas tij, Serbia bëri përpjekje që të rihapë kapitujt të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse për të cilat “kemi pasu dakordim në parim”.

Ai tha se si koordinator i dialogut, në Bruksel qëndron për të diskutuar për elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme “për njohje reciproke”.

“Pra nuk bëhet fjalë as për të pagjeturit dhe ekonominë si marrëveshje të veçanta. Janë postulate parimore që do të jenë në marrëveshjen e përgjithshme asgjë më shumë. Që të flas me gjuhë teknike, ato elemente do të zënë e shumta një faqe tekst në marrëveshjen e përgjithshme”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa, kreu i delegacionit serb në bisedime, Marko Gjuriq, bisedimet i cilësoi si teknike, duke thënë se palët kanë diskutuar “për të pagjeturit dhe zhvendosurit brenda Kosovës, si dhe çështjet ekonomike”.

Ai tha se pala serbe e ka ngritur edhe çështjen e rrugës afër Manastirit të Deçanit si dhe ka kërkuar që sa më parë të zbatohet marrëveshja për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe.

“Ne sot luftuam këtu për interesat serbe përmes zgjidhjes së problemeve për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm, dhe çështja jetike e popullit tonë në Kosovë është të zbulojmë fatin e mbi 500 serbëve”, tha Gjuriq.

Ai tha se “bisedimet teknike do të mbahen sërish para takimit të liderëve politikë”.

“Pala kosovare po përhapë dezinformata kur thotë se po zhvillohen bisedime për njohje”, tha Gjuriq/REL/