Drejtoria Rajonale Mitrovicë- Veriu Foto: Florinda Kelmendi, 06.06.2024

Përfundon intervistimi në Polici i gruas së Millan Radoiçiqit - FOTO

Para disa minutash ka përfunduar intervistimi i gruas së prirësit të grupit terrorist në Banjskë, Millan Radojçiq, kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës, në Mitrovicë të Veriut.

Ema Radoiçiq është gruaja e Millan Radoiçiqit. Ky i fundit që tash e disa muaj gjendet në arrati në Serbi pas sulmit terrorist në Banjskë më 24.09.2023.

KALLXO.com raportoi sot, 06.06.2024, Hetuesit e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, e kanë intervistuar në hapësirat e policisë në veri gruan e tashmë të kërkuarit si prijës i grupit terrorist në Banjskë më 2023, Millan Radoiçiqit.

“Konfirmojmë se në Mitrovicë – Veri është duke u intervistuar një person në prani të avokatit me ftesë të Krimeve Ekonomike në Prishtinë” – theksoi Veton Elshani për KALLXO.com.

Në dhjetor 2023, organizata më e madhe ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin. KALLXO.com, raportoi se fletarrestimi ka të bëjë me sulmin e 24.09.2023 Banjskë, në veri të Kosovës. Vepra për të cilën dyshohet Radoiçiq është terrorizmi.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e ka marrë përgjegjësinë për ngjarjet në Banjskë të Zveçanit të datës 24 shtator.

Në orët e para të kësaj dite një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare.