Deputetët Arbër Rexhaj e Erxhan Galushi gjatë takimit të Komisionit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Parlamenteve të Europës Juglindore, të mbajtur në Bosnje dhe Hercegovinë - Foto: Arbër Rexhaj / facebook

Përfaqësuesit serbë përpiqen t’i ndalojnë fjalimet e deputetëve kosovarë gjatë një takimi në Bosnjë e Hercegovinë

Përfaqësuesit serbë janë përpjekur që t’i ndalojnë fjalimet e deputetëve kosovarë, Arbër Rexhaj e Erxhan Galushi, gjatë takimit vjetor të përfaqësuesve të Mbrojtjes dhe Parlamenteve të Europës Juglindore, të mbajtur në Bosnje dhe Hercegovinë.

Kështu ka bërë të ditur deputeti Rexhaj përmes një postimi në Facebook, duke e quajtur sjelljen e përfaqësuesve serbë si rrugaçëri.

“Sot së bashku me deputetin Erxhan Galushi po marrim pjesë në këtë forum, ku pjesëmarrës janë shtetet e Evropës Juglindore. Në fjalët tona, sërish Serbia u mundua që përmes grushteve në tavolinë, mbylljes së mikrofonave tanë, si rrugaçë të vërtetë t’i ndalonin fjalimet tona. Por megjithatë, nuk mundën dhe nuk do të mundin asnjëherë” – ka shkruar Rexhaj.

Ai ka falënderuar deputetët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, të cilët sipas tij,janë rreshtuar në krahun e tyre, duke u përballur me deputetët serbë.

“Ua them troç se Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht, e vërtetuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Po ashtu, sulmi në Banjskë të Kosovës dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar, është po ajo si e Millosheviçit” – ka shtuar ai.

Rexhaj është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa Galushi është deputet i Grupit parlamentar multietnik nga Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.