Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Për tre muaj nga shkarkimi i KPMShCK-së, grumbullohen 178 ankesa

Që nga 6 qershori i këtij viti, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shkarkuar pesë anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, janë pranuar gjithsejtë 178 ankesa nga nëpunësit civil dhe kandidatët për pranim në Shërbimin Civil.

Avdyl Bekteshi nga KPMShCK-ja tha për KALLXO.com se ankesat janë të natyrave të ndryshme si kompensim material, kontestim konkursi, masa disiplinore, largim nga Shërbimi Civil, etj.

Bekteshi tha se para se Këshilli të mbetet pa anëtar (jofunksional), ankesa të pashqyrtuar për vite kanë qenë: 24 ankesa të vitit 2018, 496 ankesa të vitit 2019, 195 ankesa të vitit 2020 dhe 284 ankesa të vitit 2021.

“Grumbullimi i këtyre ankesave është si pasojë  asaj që Këshilli ka qenë jo funksional edhe nga janari 2019 deri në tetor 2020”, tha Bekteshi.

Ai ka njoftuar edhe për procedurat që i kanë rekomanduar shërbyesve civil për ankesat që nuk janë shqyrtuar shkaku që Këshilli ishte jo funksional. Sipas tij, palët janë udhëzuar që procedurat e mëtutjeshme të ndiqen në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se gjatë periudhës sa Këshilli ka qenë jofunksional (janar 2019 deri tetor 2020), duke shqyrtuar të gjithë bazën ligjore, kemi arritur në përfundim që për të gjitha ankesat që nuk janë shqyrtuar nga Këshilli, i kemi njoftuar palët me Njoftim në bazë të të cilit i kemi njoftuar për arsyet e mos shqyrtimit të ankesës, duke i udhëzuar palët që procedurat e mëtutjeshme mund të ndiqen në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative në pajtim me Ligjin për Konfliktet Administrative. Këtë praktikë jemi duke e aplikuar edhe tani sa jemi jofunksional”, tha ai.

Bekteshi shtoi se afati ligjor për shqyrtimin e ankesave është 45 ditë nga dita e pranimit të ankesës sipas nenit 17 paragrafi 1 të Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërkaq se a mund të trajtohen ankesat që janë grumbulluar pasi që të emërohet këshilli i ri, Bekteshi tha se këtë përgjigje nuk kanë kompetencë ta japin duke shtuar se këtë mund ta bëjnë vetëm anëtarët e Këshillit.

Kuvendi i Kosovës më 6 qershor 2021, ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Me 62 vota për 3 vota kundër, 11 abstenime, Kuvendi i kishte shkarkuar pesë anëtarët e KPMShCK-së.

Kuvendi shkarkon pesë anëtarët e KPMShCK-së