Pejë, arrestohet një polic, dyshohet se e goditi një këmbësore në ‘zebra’

21:54 – IPK për policin që dyshohet për aksidentin në Pejë: Ishte me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se sot, më 01.04.2025, është informuar nga Policia e Kosovës për një aksident me lëndime të rënda trupore në rrugën magjistrale Prishtinë – Pejë, në fshatin Qyshk. Në këtë aksident, siç ishte informuar IPK, ishte i përfshirë një zyrtar policor me veturë civile dhe jashtë detyrës zyrtare, dhe një këmbësore.

Pas pranimit të kësaj informate, IPK menjëherë i është përgjigjur rastit si dhe njësitet e tjera relevante policore, përderisa personi i lënduar në këtë aksident është dërguar për tretman mjekësor.

“Bazuar në veprimet e ndërmarra hetimore të ndërmarra deri tani dhe pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, zyrtari policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik”. Të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e  ndalimit për 48 orë” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas Inspektoratit Policor veprime të tjera do të ndërmerren në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së dhe në koordinim me prokurorinë kompetente.

KALLXO.com raportoi pak më parë për aksidentin në të cilin një këmbësore 27-vjeçare është lënduar në zonën e rrugës të dedikuar për këmbësorë (“zebra”).

Për shkak të lëndimeve serioze, siç njoftoi Policia e Rajonit të Pejës, pas trajtimit fillimisht në Spitalin e Pejës, viktima është dërguar në QKUK.

21:28 – Pejë, arrestohet një polic, dyshohet se e goditi një këmbësore në ‘zebra’

Një zyrtar policor është arrestuar në Pejë nën dyshimin se ka shkaktuar një aksident trafiku sot më 01.04.2025.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Gashi tha se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:45 në magjistralen Pejë-Prishtinë, në segmentin në fshatin Qyshk, në pjesën e rrugës të dedikuar për këmbësorë.

Zëdhënësi i Policisë tha se viktimë e këtij aksidenti është një 27-vjeçare, e cila, fillimisht është dërguar në Spitalin Rajonal të Pejës, por për shkak të lëndimeve serioze më pas është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Në vendin e ngjarjes është thirrur edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

Në anën tjetët Kallxo.com ka kontaktuar zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Prokurori i shtetit bashkë me Inspektoratin Policor ka dalë në vendin e ngjarjes. Lidhur me këtë rast jane duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë për veprën penale  – Rrezikimi i trafikut publik”- ka thënë Shkodran Nikçi për KALLXO.com.