PDK e shqetësuar nga "ndryshimet drastike" të qëndrimeve të Albin Kurtit

Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie ka shprehur shqetësimin e madh për “ndryshimet drastike dhe të paarsyshme” të qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti.

Sipas PDK-së, Kurti në paraqitjen e tij në Konferencën e Munihut, duke dalë me “ide të reja”, të llojit të vjetër të Ballkaniadës, ai reagoi ashtu siç kishte bërë në kohën e Rambouillet dhe në kohën e Pavarësisë: mohues ndaj progresit dhe i hutuar para ngjarjeve historike.

“Pozicionimi i ri politik i Kurtit në Konferencën e Munihut, në emër të shtetit të Kosovës, për një Plan “Marshall” për vendet e Ballkanit Perëndimor, është përpjekje kamuflimi më e rrezikshmja e mundshme për kompromise para Serbisë, që mund të bënte ai si Kryeministër i vendit. Të kërkosh ta trajtosh Serbinë në përkrahje, njëjtë si vendin tënd, është si të pranosh ta bësh agresorin – Serbinë të barabartë me viktimën – Kosovën”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Sipas PDK-së, Kurti, po ashtu, po bën gabimin e madh për vendin, kur mendon ta zgjasë dialogun Kosovë-Serbi, duke e nisur atë prej fillimit – ashtu siç propozoi së fundmi spanjolli Borrell, e jo që ai të përfundojë sa më shpejtë – ashtu siç kërkon ShBA.

“Kosova nuk ka nevojë për eksperimente dhe ide të tjera, por për marrëveshje që mbron sovranitetin  e vendit tonë dhe e anëtarëson Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ftojmë Albin Kurtin që të qëndrojë konform detyrimeve kushtetuese, e jo t’i shkelë ato si parimet që ka proklamuar para ardhjes në pushtet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe janë në anën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

“PDK do të qëndrojë fort përkrah pozitës në çdo veprim dhe qëndrim që mbron dhe zhvillon shtetin e Kosovës, por do të jetë e pakompromis në çdo lëvizje të saj nga vullneti qytetar dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së djeshme ka folur rreth zhvillimeve të cilat kanë ndodhur në Munih më saktësisht në Konferencën e Sigurisë.

Ai tregoi se mori pjesë në dy tryeza njëra nga to e cila ishte me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka folur  edhe për përballjen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku ka folur për heqjen e taksës dhe vendosjen e reciprocitetit.

Kurti u përgjigjet kërkesave të Ambasadorit Grenell