Ilustrim: Patentë shoferë të Kosovës - Foto: KALLXO.com

Patent-shoferët kosovarë pritet të konvertohen në Gjermani pa provime shtesë

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar se Gjermania parasheh konvertimin e patent- shoferëve nga Kosova pa provime shtesë.

Sipas njoftimit të Ambasadës kjo projekt-rregullore do të diskutohet në njërën nga mbledhjet e ardhshme të Bundestagut për të cilën ende nuk ka ndonjë datë publike.

Ky ndryshim i kësaj projekt- rregulloreje është kërkuar nga Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit.

Përveç Kosovës, edhe qytetarët e Shqipërisë, Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Moldavisë nuk pritet të iu nënshtrohen provimeve shtesë për konvertimin e patent-shoferit.

Për lejet e drejtimit të automjeteve nga Republika e Kosovës parashihet konvertimi i patent- shoferëve pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.