Qazim Rrahmani, PAI, Ferizaj. Foto: Atdhe Mulla

Pas interesimit të KALLXO.com, zëvendësministri paguan në tërësi dënimin me gjobë

Zëvendësministri i Kulturës, Qazim Rrahmani ka paguar sot pjesën e mbetur të një dënimi me gjobë që i ishte shqiptuar në vitin 2018.

KALLXO.com më herët sot raportoi se zëvendesministri aktual i Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti ende nuk ka paguar 1 mijë e 500 euro nga dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh që i ishte shqiptuar si dënim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

KALLXO.com kishte nisur dje pyetje në drejtim të gjykatës në lidhje me dënimin e Rrahmanit dhe sot  Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës , Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se dënimi nuk ishte paguar në tërësi.

Më vonë, e njëjta zyrtare ka konfirmuar se zëvendësministri Rrahmani sot ka paguar në tërësi dënimin.

Rrahmani, ishte dënuar në tetor të 2018, me 6 muaj burgim për veprën penale keqpëedorim te detyrës zyrtare.

Mirëpo dënimi me burgim, me pelqimin e te dënuarit Rrahmani ishte zevendësuar me gjobë  në shumë prej 3 mijë euro.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se Qazim Rrahmani, deri sa ishte zëvendësministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenjes Sociale nga qershor i 2015 e deri në janar të 2016, ka nxjerrë nga kartela bankare  e destinuar për udhëtime zyrtare  shumën mbi  12 mijë euro.

Tutje sipas aktakuzës, Rrahmani i kishte kthyer 7 mijë e 504 euro ndërsa 4 mijë e 858 euro nuk i kishte kthyer në Ministri.