
Qazim Rrahmani, PAI, Ferizaj. Foto: Atdhe Mulla
Zëvendësministri në qeverinë Hoti ende nuk e ka paguar plotësisht dënimin me gjobë
Qazim Rrahmani, Zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës në qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti, në tetor të vitit 2018 ishte dënuar për keqpërdorim të detyës, derisa po punonte si zëvendësministër në Ministrinë e atëhershme të Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Aktakuza e Prokurorisë thotë se Rrahmani, deri sa ishte zëvendësministër në MPMS, nga qershori i vitit 2015 e deri në janar të vitit 2016, ka nxjerrë nga kartela bankare e destinuar për udhëtime zyrtare shumën mbi 12 mijë euro.
Tutje sipas aktakuzës, Rrahmani i kishte kthyer 7 mijë e 504 euro ndërsa 4 mijë e 858 euro nuk i kishte kthyer në Ministri.
Gjykata e Prishtinës pasi ka gjetur fajtor Rrahmanin, e ka dënuar me 6 muaj burgim, dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 3 mijë eurosh.
Zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës , Mirlinda Gashi, për KALLXO.com ka thënë se ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë nuk është parashtruar ankesë.
Andaj, aktgjykimi dënues më 9 nëntor 2018 ka marrë formën e prerë, duke detyruar të njejtin që shumën prej 3 mijë eurove ta paguajë në 6 këste.
Po ashtu, Gashi për KALLXO.com ka deklaruar se i dënuari Rrahmani ka paguar vetëm 3 këste të dënimit me gjobë në shume prej 1 mijë e 500 euro.
Qazimi është emëruar zëvendësministër më 29 qershor 2020 në Ministrinë e Kultures, Rinisë dhe Sportit të drejtuar nga Vlora Dumoshi.