Parlamenti Evropian - Foto: Denis Sllovinja / KALLXO.com

Parlamenti Europian më 19 tetor pritet të votojë rezolutën për situatën në veri të Kosovës

Në seancën e dytë plenare të tetorit e cila do të mbahet të enjten, Parlamenti Evropian pritet të votojë një rezolutë lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vdekur polici Afrim Bunjaku.

Debati për këtë çështje është mbajtur të martën në Parlamentin Europian.

Sipas një agjende të dërguar për KALLXO.com, votimi i dokumentit që quhet “Rezoluta për zhvillimet e fundit në dialogun Serbi-Kosovë, përfshirë situatën në komunat në veri të Kosovës”, pritet të bëhet prej orës 12:00 deri në 14:00.

“Kjo nuk është agjenda përfundimtare, por sipas saj votimi për Kosovën do të jetë të enjten, më 19 tetor”- thuhet në përgjigjen e parlamentit për KALLXO.com.

Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar të dijë përmbajtjen e draft – rezolutës por sipas përgjigjes, i njëjti nuk është i disponueshëm aktualisht.

“Drafti i tekstit gjithashtu nuk do të jetë i disponueshëm vetëm pak para fillimit të seancës së ardhshme plenare”- ka thënë Snjezana Kobescak, zyrtare për media në Parlamentin Europian.

Rezoluta është prezantuar nga Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian.

Në debatin e zhvilluar të martën, më 3 tetor, pati shumë kritika për politikën e BE-së ndaj Serbisë. Disa eurodeputetë bënë thirrje për hetim ndërkombëtar dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, tha se Bashkimi Europian bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës.

“Ne duhet të veprojmë, BE-ja bashkë me NATO-n duhet të dalin me një plan sigurie për veriun e Kosovës. Përforcimi i trupave të KFOR-it është i domosdoshëm. Unë ftoj Gjermaninë dhe vendet tjera të Bashkimi Europian të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe për të dërguar trupa shtesë”- tha ajo.

Von Cramon tha se vrasja e policit Afrim Bunjaku ishte goditje ndaj paqes, sigurisë, jetës normale në veri të Kosovës.

Ndërsa, eurodeputetja holandeze, Tineke Strik, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq me vite në heshtje është lejuar ta minojë stabilitetin në rajon.

Strik tha se është shokuar me ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur në një sulm terrorist të kryer nga një grup i serbëve të armatosur u vra polici Afrim Bunjaku.

Ajo tha se ndonëse ishte e shokuar, nuk ishte e befasuar.

E komisioneri europian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarçiq,  ka thënë se retorika e Beogradit është tejet shqetësuese. Ai ka thënë se ky është alarm i fortë që situata në veri të Kosovës është tejet serioze.

Sipas tij, është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga çdo veprim që mund ta përshkallëzojë situatën.

“Retorika nga Beogradi sa i përket 24 shtatorit është tejet shqetësuese, po ashtu mënyra në të cilën dita e zisë është shpallur, ajo që është e qartë në këtë fazë është që ky operacion tregon një armatim të rëndë ushtarak dhe përbën përshkallëzim madhor që shkon në kundërshtim me thirrjet e BE-së për shtendosjen e situatës”- ka thënë ai.

Komisioneri europian për sulmin në Banjskë: Shqetësuese retorika e Beogradit dhe shpallja e zisë

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.

Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Tre persona nga ky grup u vranë e disa të tjerë u arrestuan. Trupat e tre të vrarëve iu dorëzuan më 30 shtator 2023 familjarëve të tyre, pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga organet kompetente.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.