Komuna e Prishtines

Paralajmërimi për mot me rrufe, Komuna e Prishtinës kërkon kujdes të shtuar nga qytetarët

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar që sot më 02.07.2024 mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

Lidhur me ketë, Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes të shtuar nëse janë duke ecur jashtë.

Përmes një njoftimi, Komuna ka këshilluar të merren disa masa nga qytetarët për të mbrojtur veten si; shmangia e hapësirave të hapura, mbajtja e çadrave të forta, kujdesi në rrugët e përmbytura etj.

Njoftimi i plotë:

Duke pasë parasysh këto paralajmërime nga Instituti, ju lutemi të keni kujdes veçanërisht nëse jeni duke ecur jashtë ose jeni duke u kthyer nga puna. Ju këshillojmë të merrni masat e mëposhtme për të mbrojtur veten:

Kërkoni strehë menjëherë: Nëse jeni jashtë kur fillon stuhia, kërkoni menjëherë një vend të mbrojtur, si një dyqan, ndërtesë ose ndonjë strehë tjetër.

Shmangni hapësirat e hapura: Mos qëndroni në vende të hapura si parqe, fusha apo sheshe të mëdha.

Mbani çadër të fortë: Nëse keni çadër, sigurohuni që ajo të jetë e fortë dhe e qëndrueshme për të përballuar erërat e forta.

Mos kaloni pranë objekteve të larta : Shmangni të kaloni pranë pemëve, shtyllave elektrike dhe objekteve të larta që mund të bien ose të shkaktojnë rrezik.

Kujdes me rrugët e përmbytura : Mos kaloni nëpër rrugë të përmbytura, pasi ato mund të jenë të rrezikshme për ecjen dhe lëvizjen.

Kujdesuni për të moshuarit dhe fëmijët: Nëse jeni me të moshuar apo fëmijë, sigurohuni që ata të jenë të mbrojtur dhe në një vend të sigurt.