Pandemia zbrazë kafiteritë e Prishtinës

Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina njihet më së shumti për numrin e madh të kafiterive të cilat edhe e karakterizojnë këtë qytet.

Si çdo vit, stina e verës si dhe ardhja e diasporës kontribuon në shtimin e fitimeve dhe të punësuarëve në sektorin e gastronomisë.

Pandemia COVID-19 e cila rezuloti me mbyllje të këtij sektori për gati tre muaj bëri që një pjesë e madhe e të punësuarëve në këtë fushë të humbin vendin e punës si dhe disa prej këtyre lokaleve rrezikojnë të shkojnë drejt falimentimit.

Sipas shumë prej menaxherëve dhe pronarëve të disa prej lokaleve në Prishtinë edhe mungesa e diapsorës gjatë stinës së verës ka bërë që puna dhe fitimi të ketë rënie të madhe.

 

Letorim Aliu, menaxher në “Prince Coffe Shop”, tha se numri i punëtorëve nga muaji mars është përgjysmuar si shkak i mungesës së punës.

“Numri i punëtorëve është reduktuar në shumicë, në mars kemi pasur 31 punëtorë, kurse tani kemi vetëm 17. Puna ka rënë shumë, më herët ka qenë e pamundur që një lokal në shesh të jetë i zbrazur në orën 12”, u shpreh Aliu.

Ai gjithashtu tha se edhe mungesa e diasporës dhe turistëve si shkak i kufizimeve nga pandemia COVID-19 ka bërë që të mos ketë shumë punë si në vitet e kaluara.

Të njëjtin problem e ka edhe lokali “Gizzi Grill” po ashtu në njërën prej pjesëve me qarkullimin më të madh në Prishtinë.

Menaxheri i këtij lokali Denis Bajraktari, tha se nuk e kanë reduktuar stafin por puna ka rënë shumë.

“Nuk kemi ndryshuar numrin e stafit, ka reduktim të orarit për shkak të kufizimeve, por sigurisht si shkak i rënies së punës nuk do jemi në gjendje të shtojmë numrin e punëtorëve siq kemi bërë vitet e kaluara”, tha Bajraktari.

 

Njëri prej lokaleve që ka qarkullim të madh është edhe “Metropol” në sheshin “Nënë Tereza”

 

Mentor Berisha, menaxher i këtij lokali tha se punëtorët po punojnë me gjysëm rroge si shkak i shkuritmit të orarit të punës.

“Ne për momentin kemi 22 punëtor, pra stafi nuk është reduktuar por nga 8 orë punë ata tani punojnë 5 orë në ditë, që do të thotë se edhe pagat i kanë të përgjysmuara. Puna në krahasim me vitin e kaluar ka rënë rreth 70%, kjo edhe si shkak i mosardhjes së diasporës”, u shpreh Berisha.

Ai tutje shtoi se stafi kanë marrë vetëm një pagë prej 170 euro të ndara nga qeveria gjatë kohës së izolimit, kurse për të tjerat po pritet deri sa të rishikohet buxheti.

 

Flakron Ramizi, nga ëmbëltorja “Misini” në sheshin “Zahir Pajaziti”, tha se është reduktuar shumë stafi nga muaji mars dhe është shtuar numri i ditëve të pushimit për ta.

“Deri në muajin mars kemi pasur 25 punëtor, kurse tani kemi 13, madje edhe kemi shtuar ditët e pushimit. Ne kemi pritur që të rrisim stafin në muajin korrik por tani rrezikojmë edhe të na mbyllet ndonjë nga 17 pikat që kemi në Kosovë”, theksoi Ramizi.

Qeveria e Kosovës para disa ditëve ka shtuar masat sa i përket fushës së gastronomisë e cila edhe po shihet si vendi me potencialin më të madh të përhapjes së pandemisë COVID-19 duke i mbyllur ato në orën 21:00 në mbrëmje.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës para dy ditësh lëshoi një komunikatë për media lidhur me vendimin e fundit të qeverisë, ku theksuan se këto masa po i qojnë drejt bankrotit.

“Si shoqatë mendojmë që shkurtimi i orarit të punës deri në orën 21:00, neve si biznese na e pamundëson operimin e mëtutjeshëm dhe na con drejt shpalljes së bankrotit”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate.

 

.