Momente nga bastisja ne burgun e Sigurise se Larte, Foto, KALLXO.com

Pamje ekskluzive: Si u gjet telefoni brenda burgut në të cilin vuajnë dënimin personat më të rrezikshëm në Kosovë 

Javët e fundit Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte pranuar informacione në lidhje me kontrabandimin e pajisjeve të palejuara brenda Burgut të Sigurisë së Lartë. 

Në këtë burg i ndarë në tre pavijone vuajnë dënimet personat me rrezikshmërinë më të lartë në vend e që kanë kryer veprat më të rënda në Kosovë. 

Në këtë burg, në një pavijon janë të vendosur edhe personat që vuajnë masat e paraburgimit e disa prej tyre dyshohet se janë të përfshirë edhe në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, vrasjes së Liridona Murselit, vrasjes së Triumf Rizës e të tjerë. 

KALLXO.com ka përcjellë në detaje një bastisje e cila u realizua përgjatë muajit maj. 

Informacionet që kishte pranuar SHKK ishin se brenda këtij burgu po arrihej që të futeshin gjëra të palejuara dhe në kundërshtim me rregulloret e burgut. 

Në këtë burg në aksionin i cili zgjati më shumë se pesë orë u gjet një telefon. Kjo situatë serioze do të bënte që të niste një hetim të gjerë se si arriti që kjo pajijse të futej brenda dhe përmes cilës rrugë. 

Telefoni u gjet në ambientet e përbashkëta të të dënuarve të pavijonit të parë të Burgut të Sigurisë së Lartë, aty ku të dënuarit konsiderohen të rrezikshmërisë më të lartë. 

I mbështjellë me qorapë, e brenda një qeseje, telefoni u gjet në një vrimë të hapësirës së përbashkët të të burgosurve dhe u gjet gjatë kontrollës së detajuar. 

Por kjo nuk ndaloi që zyrtarët korrektues, njësia e specializuar e Policisë së Kosovës K-9 të ndalnin bastisjen. Ajo vazhdoi tutje ndërsa gjatë gjithë kohës brenda hapësirave ishin edhe drejtori i burgjeve, Ismajl Dibrani, zëvendës drejtori Besar Gashi, Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi dhe prokurori kujdestar Arben Hoti. 

Zëvendës drejtori i burgjeve, Besar Gashi për ekipin e Kallxo Pernime ka treguar për informacionet që kishin pranuar dhe hartimin e planit për bastisje. 

“Departamenti për siguri dhe operativë në Shërbimin Korrektues të Kosovës edhe Njësia për Inteligjencë ka pranu informacione që dyshohet se në Burgun e Sigurisë së Lartë mund të ketë kontrabandë apo gjëra të palejuara te të burgosurit, që cënojnë apo mund të cënojnë sigurinë dhe në mënyrë që ne të kemi ambient të siguritë si për stafin po ashtu edhe për të burgosurit është hartuar edhe plani operativ në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Prishtinës dhe Policinë e Kosovës”- thotë Gashi. 

Ai tregon edhe për mundësine e kontrabandimit të pajisjeve apo gjërave të tjera të palejuara brenda Burgut të Dyzit. 

“Kryesisht informatat fillestare janë që dyshohet se mund të ketë kontrabandë me telefon mobil që është më e theksuar në të gjitha burgjet e gjithashtu mund të dyshohet se ka lëndë narkotike te të burgosurit”- shtoi tutje ai. 

Meqënëse Burgu i Sigurisë së Lartë, ka një mbikëqyrje dhe monitorim më të sofistikuar se sa burgjet e tjera në Kosovë, edhe këtu nuk mungon kontrabanda. 

Brenda hapësirave të këtij burgu që shquhet për mbikëqyrje të rreptë u gjet telefoni ndërsa një hetim do të nisë për këtë çështje. 

Gashi tregon se nuk përjashton edhe kontrabandimin edhe të mjeteve të tjera të rrezikshme që po tentohet të futet brenda hapësirave gjë për të cilat kanë pranuar edhe informacionet inteligjente që sollën deri te aksioni dhe bastisja. 

Në pavijonin e parë u bastisën dhe u kontrolluan në detaje 66 qeli apo dhoma të të dënuarve. 

Pamjet ekskluzive që sjell Kallxo Përnime tregojnë se si cdo i burgosur të cilit i bastiset qelia, kontrollohet kur del nga dhoma e më pas pjesë pjesë futen nëpër dhoma të rekreacionit të cilat janë të përbashkëta e më pas nis bastisja në formë të detajuar. 

Burgu i Sigurisë së Lartë është burgu i vetëm që aktualisht cdo i burgosur jeton i vetëm në qeli. 

Brenda cdo qelie është shtrati, pajisjet higjienike, një televizor kanalet e të cilëve janë të miratuara nga SHKK e nuk mungojnë as gjësendet ushqimore. 

Të gjitha do të kontrolloheshin në detaje nga gardianët e më pas do të futeshin edhe qentë e Policisë së Kosovës të cilët me nuhatjen e tyre do të mund të zbulonin nëse të dënuarit mbajnë, armë, drogë, apo edhe pajisje të tjera. 

Drejtori i Burgjeve, Ismajl Dibrani tregon se ndonëse ka mjaftueshëm bastisje të cilat janë të shpeshta në burgjet e Kosovës, esenca e tyre është që të krijohet ambient i sigurtë për të burgosurit, të dënuarit dhe atyre që mbajnë masa të sigurisë. 

Në orën e parë të aksionit ai tregoi se ishte gjetur një mbushës i një telefoni e që më pas ishte gjetur edhe telefoni. 

Ai tregoi edhe për mirëpritjen e të burgosurve për këto bastisje. 

“Natyrisht që e vështirë kur e bezdis një person sepse është sikur shtëpi e cila i siguron kushte jetese, edhe aktivitete të tjera dhe programe rehabilituese dhe në këto raste ata shqetësohen në aspektin emocional por krejt kjo është në interes të krijimit të një ambienti sa më të sigurtë”- thotë Dibrani. 

E Zëvendës Drejtori i burgjeve, Besar Gashi i cili qëndroi gjatë gjithë kohës dhe mbikëqyri aksionin tregoi edhe rezultatin final të aksionit. 

“Gjatë kontrollit gjeneral në Burgun e Sigurisë së Lartë, kemi gjetur te të burgosurit një mobil, te hapësirat e përbashkëta dhe një kabllo për mbushjen e tij”- tregon Gashi. 

Ai shpjegoi edhe procedurat tutje që do të zhvillohen për çështjen e telefonit. 

“Me vet faktin që telefoni është gjetur në hapësirat e përbashkëta që i shfrytëzojnë të burgosurit, gjatë ditës, institucioni do të themeloj një komision hetimor të brendshëm dhe do të del me një raport hetimor mbi gjetjet dhe rekomandimet se çka do të veprohet tutje. Gjithashtu do të identifikohet edhe mënyra se si ka arritur që të futet telefoni brenda”- shton tutje Gashi. 

Në këtë rast, Gashi shton edhe se do të shqyrtohet edhe mundësia nëse gardianët do të hetohen nëse kanë qenë në dijeni apo jo të kontrabandimit të telefonit.