Foto: ZPRK
Osmani takohet më ambasadorin amerikan, flasin për situatën e sigurisë
Presidentja Vjosa Osmani është takuar sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Në këtë takim u diskutua për situatën e sigurisë pas sulmit në veri të Kosovës, ku nga akti terrorist i grupeve u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe disa policë të tjerë u plagosën.
Sipas njoftimit, Osmani ka theksuar se për këtë sulm terrorist dhe akt agresioni nga ana e Serbisë duhet të ketë përgjegjësi nga ana e shtetit serb.
“Ajo ka thënë se shpreson se pasi shtetet aleate të përfundojnë procedurat e tyre të brendshme për konfirmimin e informacioneve që kanë të bëjnë me sulmin e fundit ndaj Kosovës, do të ndërmarrin masa konkrete dhe sanksione ndaj Serbisë, për shkak të involvimit të saj të drejtpërdrejtë në këtë sulm, qoftë si shtytëse, organizatore apo lehtësuese e tij”- thuhet në njoftim.
Ndërsa, ambasadori Hovenier shprehu edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta për policin e vrarë.
Po ashtu, Osmani, ka falenderuar aleatët, në rradhë të parë SHBA-në, për mbështetjen dhe solidaritetin pas vrasjes së rreshterit policor, heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, si dhe bashkëpunimin dhe përkrahjen e institucioneve të sigurisë në këtë kohë kur po sfidohet rëndë siguria kombëtare e Kosovës.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.
Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.