Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti duke bërë homazhe tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur Foto: ZPRK

Osmani: Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Pagjeturve, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te përmendorja në kryeqytet, dedikuar për personat e zhdukur.

Osmani ka thënë se kjo ditë i gjen familjarët edhe tërë Kosovën në pritje të zbardhjes së fatit të mbi 1600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo ka shtuar se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është përkushtim i çdoditshëm.

“Ata janë dhimbja dhe kujtesa jonë kolektive. Ata janë dëshmia e përpjekjes së regjimit gjenocidal serb për shfarosjen tonë. Mbi të gjitha, ata janë pengu i lirisë sonë, ndaj zbardhja e fatit të tyre është përkushtim i çdoditshëm” – ka thënë Presidentja e cila ka theksuar se pa u zbardhur fati i këtyre personave nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme.

“Paqe të qëndrueshme nuk mund të ketë pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën e fundit në Kosovë. Jemi të përkushtuar e të vendosur që fati i tyre të zbardhet, e vërteta të ngadhënjejë dhe drejtësia të triumfojë” – ka përunduar ajo.

30 gushti i sivjetshëm e gjen Kosovën me 1,617 persona të  cilët mbeten të pagjetur nga lufta e fundit. Shumica prej këtyre të pagjeturve janë shqiptarë.

Si pasojë e luftës së fundit në Kosovë kanë përfunduar  të varë mbi 13.000 njerëz dhe mbi 6.000 të zhdukur. Por, mijëra mbetje mortore janë gjetur përgjatë viteve në varreza masive në Kosovë dhe në Serbi.