Osmani: Femicidi nuk po shkon duke u eliminuar, duhet ashpërsuar dënimet

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani teksa ka folur për dhunën mbi baza gjinore ka deklaruar se është alarmuese rritja e rasteve të dhunës dhe vrasjes së grave.

Ajo ka thënë se femicidi si fenomen nuk është duke u eliminuar, për këtë arsye duhet të ashpërsohen dënimet.

“Shumica e vrasjeve kur gratë janë vrarë nga bashkëshortët, kanë mundur të parandalohen nëse do të kishte veprime të menjëhershme, kjo është alarm për të gjitha institucionet. Duke qenë se ky fenomen (femicidi) nuk është se po shkon duke u eliminua, ne duhet të shkojmë duke i ashpërsuar dënimet” – ka thënë ajo në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.

Osmani tutje ka thënë se është përgjegjësi e institucioneve të ofrojë mbrojtje.

“Në takimin e fundit të këtij Këshilli ka qenë dhuna mbi bazë gjinore që edhe vitin e kaluar pat përfunduar me vrasje të grave, edhe këtë vit ndodhi, kjo vazhdon të jetë një kambanë alarmuese. Ky ballafaqim me femicid që ndodhi gjatë 16 ditëve, është alarmuese te kuptojmë që nga 2019 kemi pasë rritje te dhunës të grave. E kemi përgjegjësi të ofrojmë mbrojtje” – tha mes tjerash presidentja Osmani.

Ndërsa tha se ka pakënaqësi lidhur me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ku sipas saj nuk janë përfshi rekomandimet e grupit për barazi gjinore.

“Më lejoni që të shprehi pakënaqësinë time që ligjin për zgjedhjet e përgjithshme që nuk mori rekomandimet e këtij grupi, në mënyrë që edhe në lista edhe në Kuvendin e Kosovës të ketë gra aq sa parashihet me ligjin për barazi gjinore. Për të gjithë burrat e partive politike, një inkurajim që kjo çështje të rregullohet sa më parë që është e mundur. Bashkërisht ta bëjmë këtë hap” – tha Osmani.

Teksa ka folur për vitin 2023, Osmani tha se suksesi i këtij viti ishte edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ju bëj thirrje qytetarëve të respektojnë të gjitha rregullat e sistemit të liberalizimit të vizave”- ka thënë ajo.

Ajo ka folur edhe për sulmin në veri të Kosovës, ndërsa ka përsëritur mirënjohjen për Policinë e AKI-në dhe të gjithë ata që janë angazhuar për sundim të ligjit.

Sipas saj, i gjithë fokusi i vitit 2023 ka qenë ruajtja e sigurisë në vend për shkak të sfidave të vazhdueshme nga fqinji verior Serbia.