Osmani e Kurti: Miqësitë e ndërtuar me SHBA-në dhe shtetet anëtare të NATO-s janë të shenjta

Në vazhdën e aktiviteteve me rastin e shënimit të 23- vjetorit të Ditës së Paqes, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, bënë nderime te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s gjatë shërbimit në operacionin e KFOR-it në Kosovë.

Duke kujtuar pranverën e vitit 1999, kryeministri Kurti tha se 19 shtete demokratike të Aleancës Veriatlantike u bënë bashkë dhe ndërhyn ushtarakisht kundër Jugosllavisë dhe Serbisë së Millosheviqit që ta ndalin gjenocidin e forcave serbe në Kosovë.

“Aeroplanët e NATO-s bombarduan për 78 ditë, por më 12 qershor sipas kryeministrit Kurti është dita kur trupat tokësore, këmbësoria e NATO-s i bashkëngjitet sulmeve nga ajri dhe në këtë mënyrë na bën të mundshme që për çdo vit, e sot janë bërë 23 vjet, ne ta kremtojmë 12 qershorin si ditë të çlirimit e të paqes”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ai tha se sot, kujtojmë të gjithë të rënët, kujtojmë edhe ata që nuk janë në mesin tonë nga radhët e NATO-s e që kontribuuan shumë për çlirimin e vendit tonë e për lirinë e popullit tonë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se miqësitë e ndërtuar me SHBA-në dhe shtetet anëtare të NATO-s janë të shenjta, e të cilët e kultivojnë çdo ditë.

“Miqësitë të cilat janë ndërtuar me SHBA-në dhe të gjitha shtetet anëtare të NATO-s për ne janë të shenjta ato i ruajmë por mbi të gjitha i kultivojmë edhe më tej sepse Republika jonë në rrugën përpara ka nevojë për miq të tillë, miq me të cilët i ndajmë vlerat e përbashkëta të lirisë, të demokracisë e të paqes”, u shpreh Osmani.

23 vjet më parë, më 12 qershor të vitit 1999, forcat e NATO-s hynë në Kosovë. Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë.

Pas 78 ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).

Pas bombave të hedhura nga forcat aleate për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua t’i japë fund spastrimin etnik dhe t’i largojë forcat  policore dhe ushtarake nga Kosova, duke mundësuar kështu, kthimin e mbi 800 mijë refugjatëve kosovarë në vendlindje, përkohësisht të strehuar e të mirëpritur në Shqipëri, Maqedoni dhe në vende të ndryshme të botës.