OSBE përgatit doracakun në shqip e serbisht për të verbërit për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbështetur kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për të përgatitur një version të specializuar të doracakut të Qeverisë për parandalimin e COVID-19 për të verbërit.

Dokumenti është shtypur në alfabetin e Braillit në gjuhën shqipe dhe serbe, dhe është shpërndarë përmes rrjetit të gjerë të Shoqatës të Verbërve  në mbarë Kosovën.

“Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbështeti Shoqatën e të Verbërve të Kosovës për të përgatitur një version të specializuar të Doracakut të Qeverisë së Kosovës për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 për personat me shikim të dobësuar” ka njoftuar OSBE.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu tha se qasja në informacion është e drejtë themelore e njeriut dhe se gjatë pandemisë është thelbësore që të gjithë të informohen se si të shmangin infektimin me coronavirus.