Nuk u vlerësuan ofertat me kohë, anulohet tenderi për renovimin e Qendrës Rezidenciale në Vushtrri

Në fillim të muajit nëntor, të vitit që shkoi, Komuna e Vushtrrisë hapi tender për renovimin e Qendrës Rezidenciale. Për këtë renovim, komuna kishte ndarë 8,794.27 euro për nënshkrim të kontratës.

Për tenderin në fjalë, Komuna kishte përdorur procedurën e hapur të prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Mirëpo ky aktivitet i prokurimit u anulua, dhe sipas komunës nga data e hapjes së ofertave për këtë tender kanë kaluar mbi 60 ditë. Rrjedhimisht ka skaduar dhe kohëzgjatja e vlefshmërisë së tenderëve, bazuar në afatin e saktësuar në Njoftimin për Kontratë nenin IV 3.3 dhe nenin IV.5 të Dosjes së Tenderit, Periudha e vlefshmërisë së tenderit në Dosjen e Tenderit.

Tutje komuna njofton se procedimi më tej me këtë aktivitet do të binte ndesh me dispozitat e nenit 31.4 të Rregullave dhe Udhëzuesit operativ për Prokurimin Publik , më tej( ROUPP ) pasi që procesi i vlerësimit nuk është finalizuar brenda afatit të periudhës së vlefshmërisë së tenderëve, ndërsa që zgjatja e vlefshmërisë së tenderit duhet të kërkohet vetëm para datës së skadimit të vlefshmërisë së tenderit.

“Andaj, marrë parasysh situatën e krijuar pas hapjes së ofertave të pranuara, faktit se 25 një kërkesë për zgjatje të vlefshmërisë së tenderit në këtë faze nuk është e lejuar të bëhet, vazhdimi i mëtejmë me aktivitetin e prokurimit në fjalë procesin do ta bënte të paefektshëm, jo të plotë, ndërsa, lidhja eventualisht e kontratës me O.E. , bazuar në nenin 62 paragrafi 1 pika 1 të LPP-se lidhur me nenin 44.5 pika (ix) do të përbënte shkelje ligji që do të ndodhë dhe nuk do të mundë të parandalohet përmes një ndryshimi, A.K. ka vendosur që aktiviteti i prokurimit lidhur me projektin në fjalë të ANULOHET.”