Xhafer Tahiri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vushtrria prezanton planin për rimëkëmbje ekonomike

Rreth 35% e bizneseve në Komunën e Vushtrrisë janë shuar gjatë vitit 2020 ndërsa 60% e familjeve vushtrriase kanë deklaruar se kanë pasur më pak të hyra që nga përhapja e pandemisë COVID-19.

Kështu u bë e ditur gjatë një konferece për media të kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili prezantoi Planin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Tahiri tha se ata kanë përgaditur moratoriumin katër vjeçar që pritet të kushtojë rreth pesë milionë euro, si kundër-përgjigje ndaj krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

“Është një krizë e paparë që është shkaktu dhe përgjigja jonë duhet të jetë në proporcion me këto. Komuna e Vushtrrisë ka hartuar planin e rimëkëmbjes ekonomike që janë një sërë politikash dhe masash të reja, për të cilat do të na duhet edhe ndihma e Kuvendit Komunal dhe Minsitrisë së Financave”, tha ai.

Sipas këtij plani, mjetet e shpenzimeve kapitale do të transferohen në mjete për rimëkëmbje ekonomike.

Kryetari Tahiri tha se “në asfallt do të investohet vetëm përmes granteve qeveritare dhe jo nga paratë e buxhetit të komunës”.

Tutje, në kuadër të rimëkëmbjes ekonomike do t`iu lehtësohet qasja në kredi bizneseve të ndryshme, do të lirohen qytetarët nga tatimi në pronë për 25%, do të përkrahen bizneset e grave si dhe shtimi i vendeve të punës.

Por, masat e prezantuara duhet të votohen në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë dhe të marrin dritën e gjelbërt nga Ministria e Financave.