Foto: Kallxo.com

NPB-ja mbetet pa vlerësim të rrezikshmërisë në vendin e punës

Në muajin shkurt të vitit të kaluar, Ndërmarrja Publike Banesore Sh.A kishte hapur tender për vlerësimin e riskut në vendin e punës, por i njëjti dështoi para dy ditësh pasi gjykata e tenderëve nuk shqyrtoi ankesën e kompanisë që kishte parashtruar ankesëme arsyetimin se ka kaluar kohë e gjatë.

NPB-ja kishte ndarë 11,800 euro, si vlerë të parashikuar për kontratë, me kohëzgjatje 3 muaj për vlerësim të rrezikshmërisë në vendin e punës.

Lloji i procedurës së përdorur, për këtë aktivitet të prokurimit është i hapur, me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Në përshkrimin e shkurtër të lëndës së këtij tenderi thuhet se bazuar në Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, për herë të parë në vit do të masin kënaqësinë e konsumatorëve në bazë të procedurave përkatëse përmes organizatave kredibile të pavarura.

Një vlerësim i tillë ka për qëllim përcaktimin e masave për përmirësimin e shkallës së sigurisë dhe shëndetit të të punësuarve në Ndërmarrjen Publike Banesore, parandalimin e rreziqeve profesionale, eliminimin e faktorëve të rrezikut dhe aksidenteve në vendin e punës, informimit, konsultimit, pjesëmarrjes së balancuar në përmirësimin e nivelit të sigurisë dhe shëndetit në punë, trajnimit të të punësuarve, përfaqësuesve dhe udhëzimeve të përgjithshme për zbatimin e këtyre parimeve.

Për këtë aktivitet të prokurimit ishin pranuar tri oferta. Kompania “B&M” Sh.P.K me vlerë totale të ofertës  7,462.91 euro, ishte rekomanduar për kontratë.

Me pretendimet se komopania e rekomanduar për kontratë nuk përmbush kapacitetin financiar, kompania tjetër konkurruese “NMA” Sh.P.K,  kishte parashtruar kërkesë për rishqyrtim të vendimit. Kjo kërkesë u refuzua si e pa bazuar.

Rasti shkoi në gjykatën e tenderëve, mirëpo ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nuk u shqyrtua.

“Sot me dt 25.07.2022 kemi pranuar vendimin me nr 301 21 nga OSHP me te cilin nuk shqyrtohet ankesa e OE ankues dhe meqenëse ka kaluar kohë e gjatë anulohet komplet AP në fjalë”, thuhet në njoftimin për anulim.

Çka përmbante ky vlerësim i rrezikut në punë?

Sipas kërkesave të këtij tenderi, parashihej trajnimi i 229 punëtorëve për siguri dhe shëndet në punë, trajnimi i tre personave të autorizuar nga punëdhënësi për siguri dhe shëndet në punë.

gjithashtu parashiheshin matjet e kushteve mikroklimatike (temperatura, lagështia e ajrit, rrymimi i tij), në çdo hapësirë pune ku punojnë punëtorët (2 e më shumë), matja e ndriçimit (Lux) në hapësirat e punës, matja e zhurmës (në hapësirat e punës, matja e vibrimit – dridhjeve,  inspektimi dhe testimi i pajisjeve të punës – makinat statike (pajisje me të cilat punëtori e kryen veprimtarinë e tij – Makineritë statike, raporti i inspektimit (matjen e tokëzimit, mbrojtjes së prizave në vendin e punës, PRIZAT, raporti i inspektimit (matjet) e tokëzimit mbrojtjes riziduale –FID, raporti i inspektimit të Rrufepritësit (një matje për një objekt), dokumenti i vlerësimit të riskut në vendin e punës për pozitat e punës, koncepti i deklaratës për siguri dhe shëndet në punë (një raport përmbledhës i shërbimeve), inspektimi i Azbestit dhe gjenerator / pajisje teknike pune.

Shkarkimi i kryeshefit të NPB-së 

Sa i përket udhëheqjes së NPB-së, dy ditë më parë, Hajdar Hoxha është shkarkuar nga pozita e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Kështu kishte njoftuar Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK-së njëkohësisht aksionar në NPB.“Menaxhmeti i ri i Ndërmarrjes Publike Banesore do të filloj menjëherë reformat, për të ndërtuar politika menaxhuese transparente dhe në shërbim të plotë të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar mes tjerash ai.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërisht të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Javën e kaluar, Policia kishte kryer bastisje në NPB. Bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Kurse, Hajdar Hoxha ka paralajmëruar se do të ndjek rrugët ligjore ndaj vendimit për shkarkimin e tij.

“Vendimet dhe sulmet e tilla politike, vetëm sa më kanë forcuar edhe më shumë bindjet dhe qëllimet e mia. E sigurisht që nuk do të lejojë që këto vendime dhe sulme jo të ligjshme dhe tendencioze të kalojnë pa u ndjekur të gjitha procedurat ligjore kundër tyre”, ka shkruar ai në Facebook.Hoxha përmes një reagimi të gjatë ka thënë se punën e tij e ka kryer me profesionalizëm dhe përkushtim.