Foto: Kallxo.com

Shkarkohet kryeshefi i NPB-së (DOKUMENT)

Hajdar Hoxha është shkarkuar nga pozita e kryeshefit të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Këtë e ka bërë publike Leutrim Retkoceri, asamblist i PDK-së njëkohësisht aksionar në NPB.

“Menaxhmeti i ri i Ndërmarrjes Publike Banesore do të filloj menjëherë reformat, për të ndërtuar politika menaxhuese transparente dhe në shërbim të plotë të qytetarëve të Prishtinës”, ka shkruar mes tjerash ai.

Më 4 nëntor 2021, në KALLXO.com është publikuar hulumtimi që pikërisht tregon për projektin e dyshimtë të Ndërmarrjes Publike Banesore, në vlerë 120 milionë euro, për ndërtimin e një kompleksi banesor në lagjen Lakërisht të kryeqytetit.

Në këtë hulumtim tregohet se si ish bordi i drejtorëve kishte shkarkuar kryshefin ekzekutiv të NPB-së, Hajdar Hoxhajn, në pretendimet për shkelje ligjore gjatë projektit në Lakërishte. Vendimi për shkarkimin e kryeshefit nuk ishte protokuluar nga stafi i NPB-së dhe si rrjedhojë tre ditë më pas, aksionarët e Ndërmarrjes kishin shkarkuar dy anëtarët e Bordit.

Gjithashtu, në hulumtim tregohet për procedurat e dyshimta të përzgjedhjes së kompanive fituese, kufizimin e konkurencës, mungesën e transparencës si dhe shkaktimin e rrezikut ndaj banorëve për rreth tokës ku synohet ndërtimit i projektit, përmes ekspozimit ndaj materialeve me përmbajtje të azbestit.

Javën e kaluar, Policia kishte kryer bastisje në NPB. Bastisja u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin e dyshimtë afaristo-banesor të NPB-së, që kap shifrën e 120 milionë eurove.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar që ka pasur shkelje ligjore..

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një konferencë për media e ka quajtur anti-ligjor dhe politik procesin e bastisjes së policisë, pasi thotë se për një orë gjatë këtij aksioni janë fikur kamerat e sigurisë në NPB.