Një vit nga mbajtja ilegale e luanit në Gjilan, bëhet apel që të lirohet

Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve ka reaguar se edhe pas një viti kur u zbulua mbajtja ilegale e luanit në një resort në Gjilan, ende po vazhdon ai të jetë i mbyllur.

Ky fondacion ka fajësuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për pamundësimin e transferimit të luanit, përkundër faktit që organizata FOUR PAWS International ka ofruar strehim për luanin në një nga qendrat e saj të shpëtimit.

“Edhe pse është konstatuar se luani është kontrabanduar në Kosovë dhe është konfiskuar në fillim të këtij viti, luani vazhdon të qëndrojë i mbyllur në të njëjtin vend, peng i mosangazhimit të institucioneve”, thuhet në reagimin e publikuar në “Facebook”.

Përmes këtij postimi i kanë bërë thirrje përsëri ministrit Blerim Kuçi dhe zyrtarëve të tjerë të Ministrisë, “të angazhohen seriozisht në këtë çështje dhe luanit t’i mundësohet transferimi sa më shpejtë që është e mundur”.

KALLXO.com ka raportuar vitin e kaluar për ngujimin e kësaj kafshe në një resort në Gjilan.

Për këtë organizatat për të drejtat e kafshëve në Kosovë kishin shprehur zemërimin e tyre.

Organizatat për të drejtat e kafshëve reagojnë ndaj ngujimit të një luani në Gjilan