Organizatat për të drejtat e kafshëve reagojnë ndaj ngujimit të një luani në Gjilan

Të mërkurën grupet për të drejtat e kafshëve dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës kanë konfirmuar që një restorant në Gjilan po mban të mbyllur një luan në kafaz.

Për këtë organizatat për të drejtat e kafshëve në Kosovë kanë shprehur zemërimin e tyre.

“Kjo kafshë e egër po mbahet në një kafaz shumë të vogël vetëm për të kënaqur njerëzit pa dhembshuri për kafshët” tha OJQ-ja e Bashkuar për Kafshët në një deklaratë në Facebook.

“Jo vetëm që kjo  është çnjerëzore, por është gjithashtu e paligjshme”, thuhet më tutje.

Asnjë informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë të luanit, apo mirëqenien e tij, nuk është bërë publike deri tani.

Fondacioni i Kosovës për të Drejtat e Kafshëve gjithashtu iu përgjigj mediave , duke thënë se situata është “e papranueshme” dhe se po merr hapa për të ndihmuar luanin.

“Avokatët e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve do të rishikojnë ligjet në fuqi dhe ne do të veprojmë sa më shpejt të jetë e mundur në interesin më të mirë të luanit që mbahet në një kafaz të vogël,” thuhet në përgjigjen e saj në Facebook.

“Mbajtja e kafshëve në këtë mënyrë, importimi i tyre (ndoshta në mënyrë të paligjshme) tregon se sa i dobët është shteti në monitorimin dhe trajtimin e situatave të tilla.”

Fondacioni shpreson që situata të marr vëmendjen e organizatave ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë në mënyrë që të shpëtojnë luanin në mënyrë të sigurt.

Sipas raportimeve të Kohës Ditore, si Dogana e Kosovës ashtu edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, nuk kishin dijeni se një luan kishte hyrë në vend.

“Ne nuk e kemi regjistruar atë si një import të rregullt, dhe ai nuk ka hyrë në kontrollet tona në kufi,” tha zëdhënësi i i AVUK, Lamir Thaçi për “Koha Ditore”.

“Ata në thelb duhet të marrin leje nga ne përmes lejeve të importit, dhe në këtë rast, ata nuk kanë kërkuar as leje, dhe ne nuk kemi asnjë provë se luani e ka  kaluar kufirin.”

Të dy agjencitë u zotuan të fillojnë hetimet për rastin.

Drejtoresha e  Përgjithsheme e Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, Elza Ramadani,  tha për Prishtina Insight se ka pasur raporte për kafshë të tjera të egra, përfshirë shimpanze, që ishin të pranishme në restorant.

“Ne kemi dëgjuar se Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve morën pjesë në hapjen e restorantit, dhe askush nuk reagoi ndaj kafshëve në robëri”, tha ajo. “Ne po mundohemi të mos reagojmë shumë emocionalisht dhe po punojmë me avokatët tanë për të hartuar planin më të mirë të veprimit me profesionalizëm, në mënyrë që të raportojmë situatën në gjykatat ose institucionet përkatëse”, shtoi Ramadani.

Ndryshimet në Kodin Penal të Kosovës që hynë në fuqi në prill 2019 penalizuan keqtrajtimin e kafshëve. Më parë, keqtrajtimi i kafshëve ishte një vepër civile e dënueshme me gjobë nga 100 deri në 5000 euro.

Keqtrajtimi i luanëve dhe kafshëve të tjera ekzotike është raportuar gjithashtu këtë vit edhe në Shqipëri.

Në maj, tre luanë u shpëtuan nga një ‘kopsht zoologjik privat’ në qytetin e Fierit, 60 kilometra në jug të Tiranës. Luanët, me emrin Lensi, Bobi dhe Zhak, u morën nga Shqipëria dhe u dërguan në Hollandë për të marrë trajtim për probleme të ndryshme fizike dhe të sjelljes me të cilat përballeshin. Zhak vdiq nga dëmtimi i rëndë i organeve në korrik, si rezultat i keqtrajtimit me të cilin u përball.

Keqtrajtimi i arinjve dhe mbajtja e tyre si kafshë shtëpiake ka qenë një problem serioz në Kosovë. Në vitin 2013, Ministria e Mjedisit vendosi t’i jap fund fenomenit të mbajtjes së “arinjve të restoranteve” në të gjithë vendin. Sipas OJQ Austriake Four Paës International, pronarët e restoranteve do të blinin arinjtë nga tregtarët e kafshëve për t’u përdorur si një tërheqje turistike, duke i mbyllur ato në kafaze jashtë restoranteve si një mënyrë për të tërhequr klientelë.

Qeveria ishte në gjendje të shpëtojë 20 arinj përreth Kosovës me ndihmën e trupave të KFOR-it. Sidoqoftë, pothuajse të gjitha arinjtë e shpëtuar vuanin nga problemet afatgjata të shëndetit fizik dhe mendor, si rezultat i mbajtjes në robëri, dhe nuk mund të liheshin në egra për shkak të zvetënimit të tyre.

Si  përgjigje ndaj këtij  problemi u krijua Bear Sanctuary Prishtina, një park kombëtar 16 hektarë pak jashtë kryeqytetit që u hap në pranverë 2014 dhe u drejtua nga Four Paws International.

Sidoqoftë, mbajtja e arinjve në robëri mbetet çështje në Kosovë. Në maj të këtij viti, u zbulua se një rojtar i parkut kombëtar i punësuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po mbante në një bodrum një këlysh ariu “në kushte shokuese”.

Luanët janë pothuajse kryesisht vendas të Afrikës nën-Sahariane, dhe janë renditur si një ‘specie e prekshme’ nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN, që nga viti 1996. Pavarësisht se nuk kishin grabitqarë natyralë, popullsia e luanëve ka rënë me 40 përqindja në 25 vitet e fundit si rezultat i tkurrjes së habitatit dhe urbanizimit, sipas Fondacionit Botëror të Kafshëve të egra. (prishtinainsight.com)