Nga 17 kandidatë, vetëm 5 e kalojnë testin për ekzaminues për patentë shoferë

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

_________________________________________________________________________________

Nga 17 kandidatë që iu nënshtruan testimit, vetëm 5 e kaluan testin për ekzaminues për patentë shoferë.

Në listën e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të paraparë për testim ishin 19 kandidatë, dy munguan ndërsa 17 iu nënshtruan testimit.

Nga 17 kandidatët që iu nënshtruan provimit, 9 ishin për licencim ndërsa 8 për rilicencim.

Nga 8 ekzaminuesit aktualë që iu nënshtruan provimit kanë kaluar vetëm 3, ndërsa ata të cilët konkurruan për t’u licencuar nga 9 kandidatë testin e kanë kaluar vetëm 2.

Kandidatët të cilët janë duke punuar si ekzaminues e që nuk e kanë kaluar testimin duhet të presin herën tjetër që të hynë përsëri në testim, por vazhdojnë të punojnë e t’i testojnë kandidatët që synojnë të pajisen me patentë shofer.

Berat Ganiqi, këshilltar në MMPH, i kontaktuar nga KALLXO.com e ka konfirmuar mbajtjen e testimit.

“Ka pasur edhe kandidatë që kanë aplikuar për licencim e po ashtu edhe kandidatë që janë testuar për rilicencim. Nga 19 sa kanë qenë në listë, 2 kanë munguar, ndërsa 17 i janë nënshtruar testimit”- tha Ganiqi.

Një testim i tillë ishte organizuar edhe vitin e kaluar e po ashtu kalueshmëria kishte qenë e vogël.

Ligji e parasheh që ekzaminuesi duhet të ritestohet për rilicencim çdo 3 vite por nuk e sqaron se sa herë duhet të ritestohet në rast së nuk e kalon ritestimin.

Në korrik të vitit 2019 janë arrestuar në një operacion policor 23 persona që dyshoheshin se u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar testet e nevojshme.

Gjithashtu lidhur me arrestimet për patentë shoferë ishin arrestuar edhe dy zyrtarë policorë të Krimeve Ekonomike.

Në anën tjetër sot në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi (shqyrtimi fillestar) ndaj 31 të akuzuarve për manipulimin me patentë shoferë.