Gjykimi ndaj të akuzuarve për dallaveret me teste të patentë shoferëve, dështon seanca

Në gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi (shqyrtimi fillestar) ndaj 31 të akuzuarve për manipulimin me patentë shoferë.

Mungesa e Hasan Hasanit, Lindita Hoxha, Agron Restelica dhe Bashkim Jetullahu, i cili sipas njoftimit gjendej në Amerikë, pamundësuan vazhdimin e gjykimit.

Gjithashtu disa nga mbrojtësit e të akuzuarve u deklaruan që nuk janë pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Seanca e radhës për këtë rast parashihet të mbahet më datën 10 maj të këtij viti.

Afera e patentë-shoferëve në Prishtinë në korrik të vitit 2019 ishte ndër temat kryesore gjatë muajit të atij viti.

Dosja e Prokurorisë, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, shpërfaq mënyra të ndryshme të kalimit të testeve me marrëveshje paraprake në mes të kandidatëve dhe zyrtarëve përgjegjës për testet për patentë-shoferë.

Në këtë dosje Prokuroria pretendon se zyrtarët ekzaminues në vazhdimësi plotësonin teste shabllon pas marrëveshjeve me kandidatë të ndryshëm.

Personat të cilët po dyshohen për plotësimin e testeve janë : Naser Bislimi, Adem Binakaj, Eduard Brahimaj, Azem Miftari, Agim Restelica, Flamur Lekaj dhe Laurat Shehu.

Ekzaminuesi Adem Binakaj dyshohet edhe se kishte hyrë në zyrën e Naser Llugaliut, koordinator për patentë-shofer në Ministrinë e Infrastrukturës bashkë me një kandidat, të cilit ia kishte dhënë një test dhe i kishte diktuar përgjigjet e sakta.

Ata dyshohen se në vazhdimësi deri më 5 korrik 2019 kanë mbushur testet në bazë të marrëveshjeve me kandidatë.

Prokuroria e Prishtinës pretendon se listat e kandidatëve kontrolloheshin para se kandidatët t’i nënshtroheshin testit.

Drejtoresha e Qendrës së patentë-shoferëve në Prishtinë, Filiz Krasniqi, dyshohet se bashkë me ekzaminuesin Azem Miftari se i kanë shikuar listat e kandidatëve me qëllim të identifikimit të personave për të cilët kanë pasur rekomandime t’i kalojnë në pjesën teorike.

 

Dosja e prokurorisë: Ekzamineri i dikton kandidatit testin e patentë- shoferit

 

Prokuroria pretendon se Krasniqi mbante disa kopje të listave të personave që kanë për t’iu nënshtruar testit teorik dhe i kishte diktuar disa emra Fejzullah Ejupit, i cili ishte në pozitën e zyrtarit administrativ, të cilët i kishte shenjëzuar në listën e kandidatëve.

Po ashtu, Prokuroria pretendon se Naser Llugaliu bashkë me Filiz Krasniqin e kishin shikuar një folder me ngjyrë të zezë, të cilin ua kishte sjellë e dyshuara Filloreta Ajvazi dhe e kishin nxjerrë një test nga dosja dhe e kishin shikuar.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari Naser Llugaliu ishte i kujdesshëm pasi folderin e kishte prekur me një letër nga frika e mbetjes së gjurmëve të gishtave.

Në lidhje me atë dosje, Filiz Krasniqi  i kishte thënë Filloretës: “Shko shtine diku këtë dosje kishe ti nuk din sen”.

https://kallxo.com/skandali-i-patente-shofereve-pergjimet-e-policise-zbulojne-format-e-plotesimit-te-testeve/

Policia e Kosovës kishte arrestuar 23 persona në lidhje me këtë aferë.

Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar paraburgimin për 19 nga të arrestuarit ndërsa Gjykata e kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë dhe ndaj tyre kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Të gjithë të dyshuarit në seancën dëgjimore ishin deklaruar të pafajshëm për pretendimet ndaj tyre.

Në lidhje me këtë aferë disa ditë më parë u arrestuan edhe dy zyrtarë policorë të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.

Ata u arrestuan nën dyshimet për manipulim me provat e rastit të patentë-shoferëve.