Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Nëse opozita e krijon qeverinë e re, kujt i takon pozita e kryeministrit?: Deliu-Kodra i përgjigjet LDK-së

Ndonëse kanë bërë të ditur se janë në komunikim me njëra-tjetrën, ende nuk ka asgjë konkrete nga ana partive opozitare për bashkëpunim për krijimin e qeverisë së re, ndonëse po bëhen gati dy muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare.

Dy partitë më të mëdha të opozitës, PDK dhe LDK, edhe më tutje ndajnë qendrime të kundërta rreth asaj se cilës i takon pozita e kryeministrit, në rast se LVV-ja, si parti fituese e zgjedhjeve dështon ta sigurojë shumicën parlamentare për votimin e qeverisë së re.

Nga LDK-ja, publikisht nuk kanë njoftuar nëse kanë ndryshuar diçka nga deklarimi i kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili më 10.03.2025, tha se LDK nuk do jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit dhe se LDK nuk punon për qeveri afatshkurtër.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, më 31.03.2025 ka thënë se ky post i takon partisë së dytë në rast se dështon LVV-ja.

“Absolutisht, ne e kemi thënë tash e sa kohë, jo vetëm që po thotë PDK-ja, por ashtu e donë rendi sepse kjo është e rregulluar me mënyrën se si ne kemi dal nga një proces legjitim zgjedhor ku PDK-ja ka fituar aq mandate sa për të kërkuar edhe kryeministrin në rast se nuk do të ketë një Qeveri të cilët do ta bëj ai që i ka fituar mandatet më së shumti. Këto janë në nivel të diskutimeve të akterëve të PDK-së, kryetari Memli Krasniqi, kandidati për kryeministër Bedri Hamza janë në takime me përfaqësues të opozitës për përafrim të qëndrimevt tona. Kjo mbetet të shihet se si do të shkojë procesi”- tha ajo për RTV21.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur publikisht për një Qeveri të opozitës.

Ndërsa, NISMA Socialdemokrate, e cila ka fituar 3 mandate në Kuvend, ka qenë e vetmja që nuk është treguar përjashtuese për bashkëpunim me LVV-në.

Megjithatë, zyrtarë të kësaj partie kanë përjashtuar çdo mundësi që ta votojnë qeverinë Kurti 3, pa qenë të përfshirë edhe vetë në të.

“Deklarimet që po bëhen në media gjoja se tre deputetët e Nisma-s do ta votojnë qeverinë e Kurtit dhe do të qendrojnë në opozitë, nuk janë aspak të vërteta”, ka thënë një zyrtar i lartë i kësaj partie për Kallxo.com.

Sa përket, Lëvizjes Vetëvendosje, si parti fituese në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të hapet për bashkëpunim me ndonjërën nga partitë që kanë qenë në opozitë gjatë legjislaturës së tetë, me qëllim që ta bëjë shumicën në Kuvend për votimin e Qeverisë së re.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka për detyrë që brenda 30 ditësh ta thërras mbledhjen konstituive të Kuvendit.

Nëse ajo s’e bën këtë, Kuvendi mblidhet vetë në ditën e 30-të.

Ndërkohë, partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti, aktualisht nuk i ka votat e shumicës për ta konstituar Kuvendin dhe për ta zgjedhur Qeverinë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në ditë më herët ka deklaruar se pas certifikimit të zgjedhjeve parlamentare pret që pasi të bëhët zgjedhja e kryesisë së Kuvendit dhe kryetarit të Parlamentit, të votohet edhe qeveria.

Në zgjedhjet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.

Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.

10 deputetët e tjerë do të jenë nga komunitetet e tjera joshumicë.

Dy deputetë i ka Kosova Demokratik Turk Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.