Takimi Osmani- von Cramon. Foto: PRK.

Në takim me Viola von Cramon, presidentja Osmani potencoi rëndësinë e largimit të masave të BE-së

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim raportuesen e Parlamentit Europian për Kosovë, Viola von Cramon.

Presidenca e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë këtij takim është diskutuar për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës sa i përket rrugëtimit për integrimin në BE.

Sipas njoftimit, presidentja Osmani foli për rëndësinë që BE-ja të lëvizë përpara në raport me Kosovën përmes dhënies së statusit të vendit kandidat.

“Po ashtu, Presidentja Osmani potencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të BE-së, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe disbalancin të cilin e krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve”- thuhet në njoftimin e Presidencës.

Sipas njoftimit, në takim u diskutua po ashtu për faktin që ky do të jetë një vit elektoral në nivel të Bashkimit Europian, me ç’rast u fol për implikimet potenciale të rezultateve të këtyre zgjedhjeve në vendin tonë, në rajon dhe përtej.