Foto: KALLXO.com

Në sheshet e Prishtinës Policia gjobit përdoruesit e trotinetëve elektrikë dhe të biçikletave

Gjatë ditës së sotme Policia ka gjobitur disa qytetarë në Prishtinë.

Kjo pasi këta të fundit vendosën që sheshet e kryeqytetit t’i shfrytëzonin për të lëvizur me trotinetë elektrikë dhe biçikleta.

Një lëvizje e tillë nuk është e lejuar me ligj.

Rregullat e trafikut për biçiklistët përcaktohen në bazë të Ligjit për rregullat e trafikut rrugor.

Neni 124, paragrafi i parë, i këtij Ligji tregon se shoferi i biçikletës gjatë drejtimit duhet ta shfrytëzojë shiritin për biçikleta ose shtegun e përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë.

Tutje në paragrafin e dytë thuhet se biçiklisti gjatë shfrytëzimit të shtegut të përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë duhet të ketë kujdes të shtuar dhe t’u japë përparësi këmbësorëve.

Paragrafi i tretë thotë se kur nuk ekziston shtegu apo shiriti për biçikleta ose shtegu i përbashkët për biçikleta dhe këmbësorë, biçiklisti duhet ta shfrytëzojë bankinën dhe nëse kjo nuk është e mundur, ta shfrytëzojë shiritin e djathtë, duke lëvizur sa ma afër skajit të djathtë në distancë deri në një metër.

Ndërsa, paragarafi i katërt tregon se dënohet për kundërvajtje, me gjobë prej 20 euro, biçiklisti i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e këtij neni.

Foto: KALLXO.com