Në QKMF në Gjakovë punësohet baxhanakesha e u.d. drejtorit

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Komuna e Gjakovës kishte hapur konkurs për punësimin e dy teknikëve në dhomën e Autokllavit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ndonëse konkursi ka qenë për dy pozita, në punë janë pranuar 3 persona.

Në mesin e tyre është edhe baxhanakesha (motra e gruas) së ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKMF-së, Arben Koshi.

Blerina Shabani është motra e gruas së Arben Koshit.

Me 61.1 pikë, ajo është renditur e treta për dy pozitat e kërkuara me konkurs. E para që është pranuar është Zoje Shyti me 69.5 pikë, e dyta Leoparda Roka me 63.6 pikë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Komunën e Gjakovës për të ditur arsyet se pse janë pranuar tre persona dhe jo dy siç parashihej me konkurs.

Nga Komuna e Gjakovës kanë thënë se personi i tretë i punësuar është në listë të pritjes dhe kurdo që ka nevojë institucioni do ta marrin pa konkurs.

“Sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë secili kandidat që është vlerësuar me 60 për qind apo më shumë të pikëve totale të vlerësimit, konsiderohet kandidat fitues dhe renditet nga komisioni, sipas pikëve të marra, në listën e kandidatëve të suksesshëm. Kandidatët që renditen si të suksesshëm në Listën e Kandidatëve, përgjatë një viti kalendarik mund të emërohen në pozitën për të cilën kanë aplikuar dhe janë në Listën e Pritjes, varësisht nga nevojat e njësisë pa konkurs”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Lidhja familjare në mes të Blerina Shabanit dhe Arben Koshit është konfirmuar për KALLXO.com edhe nga vetë Koshi.

“Po, është”, është shprehur shkurt Koshi i pyetur nga KALLXO.com nëse Blerina Shabani është motra e gruas së tij.

Megjithatë, Arben Koshi tha se nuk ka ndikuar që baxhanakesha e tij të punësohet në këtë pozitë.

“Jo. Nuk kam qenë i involvuar as në hapjen e konkursit, formimin e panelit intervistues e as për procedurat e rekrutimit. Nuk kam qenë i informuar për përbërjen e as për kohën e intervistimit dhe të selektimit të kandidatëve”, ka shtuar më tej Koshi.

Arben Koshi është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKMF-së në Gjakovë që nga data 12 gusht 2020, pasi drejtori i mëparshëm kishte vdekur.