Objekti, FOTO KALLXO

Në Parkun Kombëtar 'Bjeshkët e Nemuna' ndërtohet hoteli gjigand pa leje - DOKUMENT

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Mahir Shalës, nga kompania ndërtuese ‘INTERN INVESTMENT GROUP’, me seli në Pejë, pasi e njëjta ka ndërtuar objekt hotelier në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, pa patur leje për të ndërtuar.

Objekti, Foto KALLXO

Objekti i kategorisë se lartë i ndërtuar në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku janë investuar shuma të mëdha parash, pas përfundimit të ndërtimit rezulton të jete pa leje ndërtimi.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me të akuzuarin Mahir Shala, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka qenë i qasshëm.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Mahir Shalës, dhe i njëjti në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron aksionar në  ‘INTERN INVESTMENT GROUP’ me 33.33% të aksioneve.

Prokuroria akuzon Mahir Shalën se nga muaji maji vitit 2018 në vazhdimësi në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” pikërisht në fshatin “Shkrel” të Pejës në cilësinë e personit përgjegjës “INTERN INVESTMENT GROUP”, kryen punë pa lejë të ndërtimit.

Sipas dosjes se prokurorisë Shala fillimisht ishte angazhuar në asgjësimin e objektit të vjetër mirëpo pas asgjësimit të objektit pa u pajisur me leje të ndërtimit, ka ndërtuar hotel të ri të kategorisë se larte.

I akuzuari disa herë është vizituar nga ana e personave zyrtare e DAPK “Bjeshkët e Nemuna” si dhe nga Inspektorati i ndërtimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit  Hapësinor, qe edhe i kanë lëshuar një vendim me te cilin e kanë urdhëruar ndërprerjen e punimeve për shkak se nuk ka qenë i pajisur me leje, por qe i njëjti vazhdon me punime dhe e përfundon ndërtesën.

Mahir Shala në deklaratën e tij të dhënë në prokurori nuk i ka mohuar veprimet qe e inkriminojnë atë në rastin konkret.

“I njëjti deklaron se nuk ka leje te ndërtimit, dhe se ka tentuar të siguroje këtë leje duke ndjekur procedurat ligjore, por nuk ka arritur të siguroje këtë leje, dhe se qëllimi i tij ka qenë me ndikuar në zhvillimin ekonomik të Komunës se Pejës” thuhet në arsyetimin e aktakuzës se Prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com.