Në Mitrovicë u shënua Dita e Dëshmorëve të UÇK-së

Për nder të shënimit të 25-vjetorit të Ditës së Dëshmorëve të UÇK-së në Mitrovicë është organizuar një aktivitet te varrezat e dëshmorëve në Shipol.

Qyteti i Mitrovicës është stolisur me flamuj kombëtarë dhe ata të Kosovës, ndërsa janë mbajtur edhe një varg aktivitetesh.

Po ashtu në të gjitha shkollat e Mitrovicës ora e parë u është kushtuar dëshmorëve të komunës, ku mësimdhënësit kanë folur për jetën dhe veprën e dëshmorëve, si dhe për luftën e lavdishme të UÇK-së.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, dhe përfaqësues të institucioneve tjera lokale, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë, kanë bërë homazhe sot në varrezat e dëshmorëve në Shipol.

Hamza shprehet mirwnjohës ndaj sakrificave të dëshmorëve për atdheun.

“Sot dhe çdo ditë, të gjithë ne përulemi përpara veprës heroike të Dëshmorëve. Asgjë dhe asnjëherë nuk e tejkalon veprën që ata lanë, heroizmin që ata treguan, idealet nga të cilat u udhëhoqën, për t’i dalë ballë një agresori si Serbia, për t’i dalë në ndihmë qindra mijëra civilëve dhe për t’i dalë ZOT Kosovës!”- ka thënë Hamza në postimin e tij në Facebook.

Foto: Bedri Hamza/ Facebook