Tubimi publik i kryetarit me qytetarët Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com

Hamza: Nuk ka mjekë të diplomuar në komunën e Mitrovicës që nuk janë të punësuar

Një qytetar i lagjes “Tavnik” të Mitrovicës së Jugut është ankuar sot në një tubim publik të kryetarit Bedri Hamza me qytetarët, se të afërm të tij megjithëse kanë përfunduar fakultetin janë të papunë.

“Nipi e ka përfundu Edukatën Fizike me notë mesatare 8.5. Mbesa e ka kry Fakultetin e Mjekësisë, diku te 9 e ka notën mesatare. Ju garantoj ma së paku 10 herë kanë apliku. Nuk e di qysh janë pranu të tjerët me meritokraci apo qysh”- ka thënë qytetari.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut tha se asnjë student i diplomuar i Mjekësisë nuk ka mbetur pa punë në këtë komunë.

“Te mjekësia korrigjom mundet me e kry infermierinë se Fakultetin e Mjekësisë nuk ka mjek të diplomuar në komunën e Mitrovicës që kanë mbet pa punë. Konkursi ka qenë para 7-8 muajve. Të gjithë mjekët e diplomuar, po flas mjekë të Mjekësisë së Përgjithshme janë të punësuar. Për infermieri aq shumë konkurrojnë. Komplet sfafin e shëndetësisë primare është përgjegjësi e Komunës, natyrisht jo spitali se ndonjëherë na kritikojnë edhe për spitalin por nuk është përgjegjësi e jona”- ka thënë kryetari.

Tutje ai i inkurajon të rinjtë ta shohin si opsion edhe sektorin privat për punësim.

“Të rinjtë edhe të rejat tona mos ta shohin si vend pune vetëm sektorin publik. Nuk mund t’i absorbojë të gjithë. I inkurajoj me e konsideru edhe sektorin privat. Ju kam thanë këtu njerëzve që kanë ardhë, po të rekomandoj diku në sektor privat, jo, jo! Pse? Sepse shumë prej tyre nuk e kanë përgatitur veten për tregun e punës”- potencoi Hamza.

Ai u premtoi qytetarëve se deri në fund të mandatit premtimet do të jenë të plotësuara.

Ndryshe, ky është tubimi i parë publik i kryetarit për vitin 2024.

Takimi u mbajt sot më 13.06.2024 në sallën e Kuvendit Komunal të Mitrovicës.

Në këtë tubim publik u diskutua puna e ekzekutivit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, si dhe propozime, sugjerime, komente dhe pyetje nga ana e qytetarëve.