Tubimi publik i kryetarit me qytetarët Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Bedri Hamza premton se Mitrovica e Jugut do t’i ketë gjashtë çerdhe publike
Një qytetar i fshatit Kçiq të komunës së Mitrovicës së Jugut ka thënë se banorëve të fshatit u është premtuar hapja e një çerdheje publike. Ai pyeti kryetarin e Komunës, Bedri Hamzën, nëse ky investim do të përfundojë këtë vit.
Në lidhje me këtë, kryetari Hamza në një tubim me qytetarët të mbajtur sot, më 13.06.2024, premtoi se Mitrovica e Jugut do të ketë të hapura gjashtë çerdhe publike.
“Buxheti është publik. Mjetet janë. Projekti teknik se qysh ka me u dokë çerdhja është kry. Procedurat do të hapen këtë muaj. Unë uroj që mos të kemi vështirësi në përzgjedhjen e operatorit për me i fillu punimet. Dy çerdhe në Iliridë, një te Ura e Gjakut, në Kçiq janë mjetet e siguruara. Komuna e Mitrovicës nëse shkon gjithçka siç janë mjetet dhe qysh është e planifikume do t’i këtë gjashtë çerdhe publike”- ka thënë Hamza.
Ndryshe, sot u mbajt tubimi i parë publik i kryetarit të Komunës për vitin 2024. Takimi u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal.
Në këtë tubim u tregua raport mbi punën e ekzekutivit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, si dhe u dhanë e u bënë propozime, sugjerime, komente dhe pyetje nga qytetarët.