Në Cërrnushë të Mitrovicës do të ndërtohet kazerma më e madhe e FSK-së

Në Cërrnushë të Mitrovicës pritet të ndërtohet kazerma më e madhe e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i komunës së Mitrovicë Agim Bahtiri, derisa po diskutohej që të miratohej propozim-vendim për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (Regjimenti i tretë), pa procedura të konkurrimit.

Me propozimin e kryetarit Bahtiri, Kuvendi Komunal i kësaj komunë sot ka aprovuar propozimin që i jep në shfrytëzim FSK 191 hektarë tokë për ndërtimin e kazermës.

Bahtiri paraprakisht në mbledhjen e Komiteti për Politikë dhe Financa të mbajtur të mërkurën ka thënë se kjo pronë përfshin gjithsej 191 hektarë dhe se është projekt madhor për të cilin është punuar 3 vite me udhëheqësit e divizioneve në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në bashkëpunim me faktorët ndërkombëtar.

Me këtë rast FSK-ja do të ndërtoj kazermën ushtarake në Kodrën e Cërrnushës e cila kap vlerën qindra milionë euro, dhe do të jetë baza ushtarake më moderne në Kosovë.

Bahtiri në mbledhjen e KPF-së kishte marr përkrahjen e plotë nga të gjithë anëtarët që ta procedojnë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës dhënien në shfrytë̈zim të pronës komunale prej 191 hektarë̈ në kodër të Cërrnushës për ndërtimin e kazermës ushtarake të FSK-së, ku kjo pronë do të jetë pikë strategjike për sigurinë̈ e Kosovës për të gjithë qytetarët pa dallim etnie apo nacionaliteti.

Kryetari Bahtiri para të pranishmëve propozoi edhe emrin që duhet ta mbajë kjo kazermë. I pari i Mitrovicës propozoi që kazerma të mbajë emrin e heroit “Isa Boletini”.

Anëtarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës në mënyrë unanime kanë votuar pro dhënies së tokës për nevojat e FSK-së.

Prezent gjatë kësaj seance ishte edhe zëvendës ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Enver Dugolli, zëvendës Komandanti i Regjimentit tretë, Ilir Beqiri dhe nënkolonel Afrim Veseli.

Dugolli ka falënderuar Komunën e Mitrovicës për aprovimin e këtij propozimi duke shtuar se në Cërrnushë të Mitrovicës do të jetë baza më e madhe ushtarake e FSK-së.

“Besoj që shpesh ju bie të merrni vendime të karakterit të tillë siç është një bazë ushtarake të cilën FSK-ë e ka shfrytëzuar për stërvitje. Mirëpo me këtë po na tregoni se kur bëhet fjalë  për interesat shtetërore nuk ka dallime. Ky është projekti me i madh kapital i miratuar për FSK-në që është baza më e madhe ushtarake në tërë Kosovën ”, tha Dugolli.

Ndërsa Bahtiri ka kërkuar nga asamblistët që të miratohej kjo pikë duke u shprehur krenarë se në Mitrovicë do të ndërtohej kazerma me e madhe e FSK-së në Kosovë.

“Mitrovica ka vuajt për të pasur një stabilitet të duhur ka qenë dhe është qytet specifik me shumë probleme dhe halle por bashkërisht kemi arritur të jemi qyteti më stabil në Republikën e Kosovës. Tani do të kemi qytetin me stabil vendimmarrës për të mbrojtur çdo pëllëmbë të Kosovës. Tani për tani kemi 191 hektarë por ka mundësi që të shkoj deri në 200 hektarë”, tha Bahtiri në mes tjerash.