
Foto: KALLXO.com.
Në Burojë të Skenderajt është varrosur Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është varrosur të martën, më 18.03.2025, në fshatin Burojë të Skenderajt, në prani në një numri të madh të qytetarëve nga të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët.
Në ceremoninë e varrimit të Haxhi Thaçit morën pjesë personalitete të njohura politike e ish-pjesëtarë të UÇK-së.
Në varrim nuk mori pjesë ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë.
Qytetarët vlerësuan figurën e babait të ish-presidentit, duke e cilësuar si njeri të afërt dhe patriot. Kishte prej tyre që ndjenë keqardhje që Gjykata Speciale nuk i dha leje ish-presidentit Thaçi të ishte prezent në varrimin e babait të tij.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha gjatë ceremonisë së varrimit se jo vetëm familja Thaçi por gjithë populli shqiptar duhet të jetë krenar për Haxhi Thaçin.
“Me këtë rast shprehim keqardhjen tonë për padrejtësitë e mëdha që janë duke iu bërë çlirimtarëve tanë, që fatkeqësisht sot edhe djali i tij, ish-presidenti ynë nuk pati mundësi të jetë në lamtumirën e fundit të babait të tij”- tha Tërnava.
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Nuri Bexheti, profesor universitar, tha për KALLXO.com se dita e varrimit të Haxhi Thaçit është një ngjarje e lavdishme, por njëkohësisht edhe e hidhur, për shkak të mosprezencës së ish-presidentit Thaçi. “Dita e sotme është një ngjarje e hidhur, por njëkohësisht e lavdishme. E hidhur për shkak të mosprezencës së ish-presidentit këtu”- tha Bexheti.
Ndërsa, Skender Rexha, nga Vushtrria, tha për KALLXO.com se babai i presidenti ishte një njeri i veçantë. “Ishte një njeri i veçantë, kombëtar e i afërt me te gjithë”- tha Rexha.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur më 16.03.2025 pas një sëmundje të rëndë.