Pamje nga Konferenca ‘Pranvera shqiptare 1981’. Foto: Kallxo.com

Në 40-vjetorin e Demonstratave të 81-es u mbajt konferencë shkencore

Në kuadër të shënimit të 40-vjetorit të Demonstratave të 1981, Instituti Albanologjik ka organizuar sot (26.03.2021) Konferencën shkencore, “Pranvera shqiptare 1981 – kthesë në historinë kombëtare”.

Gjatë kësaj konference u tha se ky përvjetor është momenti i vlerësimit të zhvillimeve historike që u treguan me peshë të madhe në historinë e re të Kosovës e përgjithësisht të shqiptarëve të mbetur nën ish-Jugosllavi.

Studiuesi thanë gjatë konferencës se zhvillimet dramatike që nisën si demonstratë studentësh më 11 mars dhe që më tej u zhvilluan në protesta dhe manifestime masive, deri edhe me elemente kryengritëse në përballje me forcat ushtarako-policore serbe përbëjnë njërën ndër kthesat më të rëndësishme të historisë sonë.

Historiani Nuridin Ahmeti, bashkëpunëtor shkencor në IAP ka thënë për Kallxo.com se ndonëse në rrethana të pandemisë, në konferencë morën pjesë numri më i madh i referuesve, ndërsa disa prej tyre në pamundësi të udhëtimit për shkak të rrethanave të njohura i dërguan kumtimet e tyre.

“Përgjithësisht në kumtesa u trajtuan aspekte të përkufizimit tipologjik të këtyre ngjarjeve historike, të kontekstit të shpërthimit të revoltës studentore e mbarë popullore, të identifikimit të faktorëve dhe të bartësve të proceseve në to, të reflektimit në arenën rajonale me theks të veçantë në RSP të Shqipërisë, të pasqyrimit të tyre në letërsinë popullore dhe atë të shkruar etj. Në këtë përvjetor, për dallim nga herët e kaluara, pati më tepër qasje analitike kundruall dimensionit evokues të subjektit pjesëmarrës. Kumtesat e lexuara dhe të dorëzuara për botim do të publikohen në një vëllim të veçantë”, ka thënë ai.

Kumtesat i lexuan 13 kumtues, ndërsa për botim në pamundësi të pranisë në konferencë dorëzuan edhe katër sish.

Programi i Konferencës ‘Pranvera shqiptare 1981’

Në përmbyllje të konferencës u zhvilluan diskutime interesante lidhur me çështjet e trajtuara.

Pamje nga Konferenca ‘Pranvera shqiptare 1981’. Foto: Kallxo.com