Foto: KALLXO.com

Në 25-vjetorin e çlirimit, në Ferizaj inaugurohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot, më 12.06.2024, në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.

Ai tha se para 25 vjetësh Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.

“Para 25 viteve Kosova nuk ishte vetëm, ajo ishte bashkë me SHBA-në, NATO-n dhe ushtarët e UÇK-së në çlirimin e vendit” – tha Aliu.

Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Tony Blair është krenare dhe e lavdishme sa vetë liria e Kosovës.

“Kjo shtatore është e lavdishme sa vetë liria e Kosovës sepse për neve Tony Blair është krenaria jonë. Ai nga sot do të jetë jetojë mes neve, ne mes të Ferizajt” – shtoi Aliu.

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.

Derisa citoi ish-kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 viteve.

Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë.

“Siç më ka thënë ish-kryeministri Blair shteti i Kosovës ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në një kohë të shkurtër, por ende ka sfida në të ardhmen” – tha ambasadori.

Në një fjalë rasti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i është përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë.

Krasniqi tha se Blair ka treguar guxim, dhembshuri dhe përkushtim për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Tony Blair ishte ai që luftoi për ne në skenën ndërkombëtare bashkë me Bill Clintonin. Ai luftoi sikur që luftoi UÇK-ja në Kosovë” – tha Krasniqi.

Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, tha se Ferizaj sot po feston më ndryshe përvjetorin e çlirimit, duke zbuluar shtatoren e Blairit.

Ai tha se kontributi dhe vendosmëria e Tony Blair ishin vendimtare për përfundimin e luftës në Kosovë.

“Kryeminstri Tony Blair ka dhënë një kontribut të madh për neve shqiptarëve, roli i tij ka qenë i madh dhe vendimtar në luftën e Kosovës” – tha Çeku.

Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair” dhe iniciatori, Bashkim Fazliu, tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit tonë për kontributin e Blair në çlirimin e vendit.

Ai tha se në kohën kur në Kosovë po ndodhte spastrimi etnik nga okupatori serb, Blair nuk qëndroi duarkryq, por veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, duke shtuar se populli jonë do të jetë përjetësisht falënderues për kontributin e tij.

Shtatoren e Tony Blair e ka punuar skulptori Agon Qosa.

Shtatorja u vendos në sheshin që mban emrin e ish-kryeministrit britanik dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.