Ndahen çmimet për fotografinë më të mirë kundër korrupsionit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka hapur ekspozitën si dhe ka mbajtur ceremoninë e ndarjes së çmimeve për garën për fotografitë më të mira kundër korrupsionit.

Vendin e parë për fotografinë më të të mirë e fitoi Selviana Hysenaj, të dytin Valdrin Fetahu si dhe vendin e tretë Alban Dragoshi.

Blerta Aliu nga KDI-ja tha se në garë kanë qenë 80 fotografi, shumica e të cilave kanë pasqyruara varfërinë në Kosovë.

“Në garën e sivjetme në masë të madhe dominon tema e varfërisë. Degradimi i ambientit dje ndërtimi pa kritere ishte një çështje tjetër. Edhe për temën e afsaltit ka pasur një numër të konsiderueshëm të fotografive që kanë garuar”, tha ajo.

Fotografitë fituese, Foto: KALLXO.com

Kurse, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se ky institucion është munduar tu dalë në ndihmë edhe shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit.

“AKK është munduar që konform mandatit tu dal në ndihmë edhe shoqërisë civile. Sa i përket kësaj ekspozite, po shihet niveli i varfërisë shkaku i korrupsionit dhe këto fotografi paraqesin gjendjen reale. Korrupsioni gjendet në nivel lokal dhe qendror. Prandaj na duhet të mobilizohemi”, tha ai.

Në anën tjetër, fituesja e vendit të parë për fotografinë më të mirë, Selviana Hysenaj tha se shpreson që fushata kundër korrupsionit të ketë sukses.

“Po shpresoj që kjo fushatë, do t’i sensibilizojë qytetarët e Kosovës për këtë dukuri kaq negative. Besoj që fotot janë duke fol vet për situatën që është në vend dhe në rajon presim përmirësime”, tha ajo.

Për ekspozitën “Faji i Korrupsioni”, janë përzgjedhur 20 fotografitë më të mira, të cilat janë shfaqur në Parkun Arkelogjik në Prishtinë.