Foto nga arkivi - Pjesëmarrja e Kosovës në Lojëra Olimpike në Rio 2016
Musa Hajdari garon nesër në disiplinën vrapim 800 metra
Atleti Musa Hajdari nesër do të përfaqësojë Kosovën në atletikë në disiplinën 800 metra vrapim nga ora 2:50 sipas kohës sonë lokale.
Në faqen zyrtare të Lojërave Olimpike ‘Tokio 2020’ figuron se ai do të garojë në raundin e parë për kualifikime në këtë disiplinë në mesin e 7 atletëve tjerë, nga të cilët vlen të përmendet nënkampioni i botës, keniasi Ferguson Cheruiyot Rotich, dhe Abdelatti El Guesse, marokieni i cili rangohet i pesti në botë në këtë disiplinë.
Kosova deri më tani ka fituar dy medalje të arta, të dyja në xhudo, duke e çuar numrin e të artave në Lojërat Olimpike gjithsej në 3. Distria Krasniqi doli e para në kategorinë deri 48 kilogram dhe Nora Gjakova në atë deri 57, përderisa Majlinda Kelmendi kishte bërë historinë në Rio 2016 duke e fituar këtë medalje për herë të parë në kategorinë deri 52 kilogram po në këtë sport.