Murati - LDK-së: Edhe pasi na rrëzuat ne i votuam marrëveshjet ndërkombëtare

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati e ka konsideruar veprim të papritur mosmiratimin e marrëveshjes për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë” në Kuvendin e Kosovës sot.

Këtë marrëveshje nuk e mbështeti LDK, dhe nuk u miratua pasi mori 75 vota për, 8 vota kundër dhe asnjë abstenim.

Sipas ministrit, një situtatë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në Kvendin e Kosovës, që një marrëveshje ndërkombëtare të mos kalojë.

“Kjo marrëveshje u rrëzua nga LDK pasi voti kundër. Në të kaluarën ka pas shumë raste kur marrëveshja ndërkombëtare Grupet Parlamentare s’kanë marrë fare pjesë në votim për mos mundësu kuorumin dhe marrëveshja është shty, por s’ka ndodhë asnjëherë që me vota kundër marrëveshja financiare ndërkombëtare të rrëzohet siç ndodhi sot, ky është rasti i parë”, tha Murati.

Ministri po ashtu tha se u mundua që t’i japë gjitha sqarimet në Kuvend dhe sipas tij, arysetimet se LVV në të kaluarën ka vepruar njëjtë duke kundërshtuar marrëveshjet ndërkombëtare dhe kanë vepruar njëjtë nuk qëndrojnë.

“U tha që s’ka ndodhë asnjëherë me marrë kredi për skema pensionale, por që të dyja janë të pavërteta. Madje, hiç më larg se në vitin 2020, kur sapo na kishin rrëzuar nga Qeveria Kurti dhe kishte ardhur Qeveria Hoti, e kanë pru marrëveshjen me Bankën Botërore në vlere 46 milionë euro që parashihte rritjen e përfituesve për rritjen e përfitimin e skemës së ndihmës sociale, ka qenë veç 1 milionë më pak, 46 mijë euro dhe e kemi përkrahur dhe unë si kryetar i komisionit kam kërkuar që të përkrahet”, tha më tej Murati.

Ai po ashtu tha se pas kësaj do të zhvillojë një takim virtual me drejtorin e Bankës Botërore për rajonin që të diskutojë për hapat e mëtejshëm, pasi sipas tij, janë disa afate kohore që duhet të respektohen.

Për shkak se nuk mori përkrahjen e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për të grumbulluar 2/3 e nevojshme, marrëveshja për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, nuk u miratua sot në Kuvendin e Kosovës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar edhe përmes Facebook-ut pas mosmiratimit të marrëveshjes për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Sipas Muratit, duke mos votuar në Kuvend për miratimin e kësaj marrëveshjeje përmes të cilës do të përfitonin dhjetëra familje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë historinë.

“Është hera e parë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare rrëzohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në të kaluarën, ka pasur raste kur marrëveshjet ndërkombëtare nuk kanë kaluar duke mos marrë kuorumin e nevojshëm prej 80 votave, gjë që ka nënkuptuar se janë shtyrë për seancën e radhës, por asnjëherë nuk ka ndodhur që ato të rrëzohen kështu si bëri LDK sot”, ka shkruar Murati në Facebook.