MPB thotë se konkursi për Sekretar të UP-së duhet të ishte i hapur

Një konkurs i brendshëm për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, do të mund të anulohet sot nga ana e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës.

Kjo pasi, sipas burimeve të KALLXO.com brenda Këshillit Drejtues, Ministria e Punëve të Brendshme, Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, ka thënë se ky konkurs do të duhej të ishte i hapur.

Më 8 qershor, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës i ishte drejtuar MPB nëse konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së, i hapur në maj të këtij viti, është i bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik.

Për këtë MPB ka kthyer përgjigje duke thënë se “paragrafi 1 neni 67 i Ligjit për Zyrtarët Publik përcakton se “Themelimi i marrëdhënies së punës për një nëpunës të Shërbimit Publik bëhet vetëm në bazë të një konkursi publik dhe të hapur, të organizuar sipas këtij ligji”.

“Andaj, në kuptim të kësaj dispozitë ligjore, konkursi për nëpunësit e shërbimeve publike që hynë edhe pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të UP-së, është publik dhe i hapur”, thuhet në përgjigjen e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com përmes burimeve ka kuptuar se sot në ora 16:00 Këshilli Drejtues i UP-së do të mbajë mbledhje për të diskutuar në lidhje me këtë konkurs.

Konkursi për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së ishte marrë vendim që të shpallet i brendshëm më 31 mars të këtij viti dhe të shpallet i hapur për aplikim të kandidatëve nga data 4 maj deri më 18 maj.

KALLXO.com është duke e monitoruar këtë konkurs. Aktualisht faza e testit me shkrim të këtij konkursi ka përfunduar, ku në garë për këtë pozitë ishin 6 kandidatë.

Më 21 qershor është caktuar data e intervistës me gojë për dy kandidatët që kanë kaluar këtë fazë.

KALLXO.com kishte raportuar për problematikat që ishin zhvilluar për pozitën e Sekretarit të UP-së. Fillimisht ishte duke u diskutuar vazhdimi i mandatit të ish-sekretarit të UP-së, Esat Kelmendi nga ana e Këshillit Drejtues të UP-së.

Por, dy interpretime të Ministrisë së Punëve të Brendshme për këtë cështje në drejtim të Këshillit Drejtues kishin krijuar konfuzitet dhe kishin bërë që Këshilli Drejtues të mos ia vazhdojë mandatin Kelmendit dhe të marrë vendim që të shpallet konkurs.

Por, më pas ishte shpallur konkurs i brendshëm brenda UP-së, duke u bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik, Ligjin e Punës dhe dispozita të tjera ligjore.

Pas mos vazhdimit të mandatit të Esat Kelmendit  si Sekretar i UP-së, ai ishte emëruar si drejtor i Zyrës Ligjore, ndërsa si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm u emërua Besfort Krasniqi, sekretar i Fakultetit Filologjik.

Të dy këta janë kandidatë në konkursin për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së që tashmë është duke u zhvilluar procedurë.

KALLXO.com do të raportojë gjatë ditës së sotme për vendimin që do ta marrë Këshilli Drejtues për këtë konkurs.

‘Hallakama’ me pozitën e Sekretarit të Universitetit të Prishtinës

.